Thaçi i përgjigjet Albulena Haxhiut: Ke zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës  i është përgjigjur paralajmërimeve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për shkarkimin e tij.

Lajme

23/04/2021 13:51

Në një reagim për media, Thaçi ka thënë se Haxhiu ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se është profesionist dhe nuk merret me politike. Tutje, Thaçi ka thënë se rasti për të cilin ka folur Haxhiu është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm, për shkak se për të ka pasur ankand publik.

Madje ai thotë se Haxhiu ka qenë e njoftuar për këtë.

Postimi i plotë:

Ministrja e drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike. Unë jam profesionist dhe nuk merrem me politikë.

Rasti për të cilin paska folur ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj, është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm. Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik. Për këtë proces , Ministrja ka qen e njoftuar ne mandatin e kaluar dhe e cila ka pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone .

Ky proces i nisur për te mirën e shërbimit korrektues ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë euro.

Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe te arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se është e detyruar që të dërgoj ne komision disiplinor.

Kërkoj nga ajo qe këtë lëndë ta dërgoje në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë. /Lajmi.net/