Thaçi i Kosovës kritikohet nga Thaçi i Maqedonisë

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ngjan se nuk i ka punët aspak mirë me kryeministrin e Kosovës, HashimThaçi. I pari nuk po pajtohet me, siç thotë “termat e paprecizuara” të kryeministrit kosovar.

Lajme

07/04/2014 22:29

Në një miting të organizuar në Tetovë, kreu i PDSH-së tha se kryeministri i Kosovës nuk kishte precizuar siç duhet termat. Ai përmendi rastin kur Hashim Thaçi në 100-vjetorin e Pavarësisë në Shkup, e kishte cilësuar Ali Ahmetin si “liderin e shqiptarëve të Maqedonisë”.

Sipas kryetarit të PDSH, një gjë e tillë nuk mund të jetë aspak realiste, pasi Ahmeti është kryetar i BDI-së, por jo lideri i shqiptarëve në Maqedoni.

Përplasjet në mes Hashim Thaçit dhe Menduh Thaçit kanë nisur që nga koha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në atë kohë, PDSH-ja ishte në pushtet në Maqedoni, informon Albeu.

Megjithëse kryeministri i Kosovës jepte deklarata se Maqedonia do ta njohë Kosovën si shtet, Menduh Thaçi ishte shprehur disa herë se nuk do të njihej pavarësia e Kosovës, pa u miratuar një gjë e tillë edhe nga partia e tij.

Armiqësitë mes Thaçëve kanë qenë të hershme, madje as Arbën Xhaferi nuk kishte arritur dot t’i pajtonte.