Thaçi i jep shokët e vet një nga një
Albin Kurti thotë se Kryeministri Thaçi po i jep shokët e vet një nga një – ata të cilët ose e kundërshtojnë, ose i ka të papërdorshëm.
Lajme
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Kosovapress, ka deklaruar se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po i jep shokët e vet një nga një.
Këtë deklaratë ai e ka bërë pas intervistimit të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nga EULEX si i dyshuar për krime lufte, ndërkohë që ka pohuar se ky mision nuk do të duhej të trajtonte krimet e luftës fare, duke e vlerësuar luftën çlirimtare të UÇK’së si një luftë të drejtë.
“Kryeministri Thaçi po i jep shokët e vet një nga një. Ata shokë të cilët ose e kundërshtojnë me të drejtë, ose i ka të papërdorshëm.”
“Kur ai kështu sillet me shokët e tij, mund ta merrni me mend se sa çan kokën, sa brengoset për njerëzit tjerë të Kosovës.”
Kurti, po ashtu, ka pohuar se pazaret me Serbinë në Bruksel po e shfajësojnë Serbinë dhe po e inkriminojnë Kosovën. Pjesë e kësaj dukurie politike, siç është shprehur ai, janë edhe “persekutimet’ që po bëhen në Kosovë ndaj ushtarëve të UÇK’së.
Lideri i Vetëvendosjes, në këtë intervistë për Kosovapress, ka thënë se EULEX nuk do të duhej të trajtonte krimet e luftës fare, duke e vlerësuar luftën çlirimtare të UÇK’së si një luftë të drejtë, e cila nuk lë vend për neutralitet, e që neutraliteti ndaj luftës çlirimtare të UÇK’së, sipas tij, tashmë është mbajtja e anës së Serbisë dhe regjimit të Millosevicit.
“Mos harroni që fundi i vitit 2013 shënohet nga një ngjarje shumë e rëndë, e kjo është fakti që Kryeministri i Kosovës Thaçi e bëri lidere në Ballkan Serbinë sërish. Pra, Serbia fillon negociata për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Ndërkaq, Kosova dhe Shqipëria nuk fitojnë asgjë.”
“Ky jo vetëm që nuk po e ndihmon popullin, dhe kombin tonë, por ky po e ndihmon armikun tonë, dhe mendoj që kontributi personal i Thaçit në dekadën e fundit të shekullit 20-të për largimin e Serbisë nga Kosova është tashmë më i vogël sesa kontributi i tij personal për kthimin e Serbisë në Kosovë në dekadën e dytë të shekullit 21”.