Thaçi e nis ditën i kënaqur me raportin e Bankës Botërore

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar si shpresëdhënës raportin e fundit të Bankës Botërore. 

Lajme

27/05/2014 10:07

Ai ka thënë se është kënaqësi që Kosova të vlerësohet si shteti me ekonominë me rritje më të shpejtë në rajon.

“Fillova ditën duke lexuar raportin shpresëdhënës të nxjerrë nga Banka Botërore për ekonomitë e Europës Juglindore dhe pata kënaqësinë të shoh se Kosova është shteti me ekonominë me rritje më të shpejtë në rajon”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në Facebook.

“Raporti tregon edhe për arritje të tjera të ekonomisë kosovare duke treguar se ka pasur një rritje prej 6.3% të eksporteve, rritje e prodhimeve bujqësore që po zëvendësojnë importet e ushqimeve, pastaj një rritje të ndjeshme të investimeve të drejtpërdrejta të huaja, se borxhi publik i Kosovës është më i ulët se i gjithë vendeve të tjera fqinje në rajon. Edhe inflacioni tek ne ka rënë ndjeshëm”.

“Unë fuqimisht besoj se me Fondin e Punësimit do të krijojmë 200,000 vende të reja të punës, duke krijuar një rritje edhe më të hovshme ekonomike”, ka thënë Thaçi, i cili po garon për të fituar edhe mandatin e tretë si kryeministër i vendit.