Thaçi: Do të qeverisim pa njerëz me probleme me drejtësinë
Hashim Thaçi e ndjen të nevojshme të kandidojë për Kryeministër edhe për një mandat. Pohon se nuk sheh parti në skenën politike që s’mund të bashkëpunojë në pika të caktuara. Thotë se do të qeverisë me njerëz që s’kanë probleme me sistemin e drejtësisë.
Lajme
Opozita politike në Kosovë tash e sa kohë po kërkon rrëzimin e Qeverisë Thaçi, ndërkohë që AAK’ja tashmë ka hapur edhe një peticion për qytetarët për ta bërë këtë.
Mirëpo, Kryeministri Hashim Thaçi duket të jetë i qetë. Ai, madje, thotë se ka vërejtur tek qytetarët disponim që të vazhdojë edhe një mandat.
Peticionin e AAK’së e sheh si veprim të paparashikueshëm, ndërsa thotë se edhe vetë Ramush Haradinaj gëzohet me rritjen e pagave që ai paralajmëroi.
Kështu ka deklaruar Hashim Thaçi, gjatë një interviste për emisionin Argument Puls të RTV 21.
“Jam i bindur që edhe zoti Haradinaj është i gëzuar, por është në një subjekt politik tjetër. Unë jam takuar dhe kam biseduar me zotin Haradinaj. Sa i përket peticionit, është e drejtë e një subjekti politik. Është një veprim paksa i paparashikueshëm. Si do që të jetë, është në suaza të demokracisë”.
Lideri i PDK’së është shprehur edhe për synimet e tij në qeverisjen e radhës, të cilën shpreson ta fitojë pas zgjedhjeve nacionale që pritet të mbahen në Kosovë.
“Do të vazhdojmë të qeverisim me njerëz që dinë të qeverisin.”
“Definitivisht, nuk do të ketë njerëz të cilët kanë probleme me sistemin e drejtësisë.”
“Do të ketë njerëz që me të vërtetë punojnë për PDK’në, respektojnë sistemin e drejtësisë, njerëz që kanë një vizion të qartë”.
Thaçi, po ashtu, ka theksuar se nuk sheh ndonjë parti politike në skenën kosovare me të cilën nuk mund të bashkëpunohet me to në pikë të caktuara.
Nominimin për Kryeministër, ndërkaq, ka pohuar se do ta kërkojë edhe për një mandat.
“Unë nuk shoh në skenën politike kosovare parti që nuk mund të komunikohet dhe bashkëpunohet në pika të caktuara. PDK nuk është parti përjashtuese. Monopol kurrkush nuk ka për pozitën e Kryeministrit. Ne synojmë që si parti fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme të punojmë me partnerët tanë”.
“Do të kërkoj nga Partia Demokratike e Kosovës të më nominojë. E theksoj, ndiej obligim që të punoj për zhvillimin ekonomik edhe më shumë”, ka thënë Kryeministri Thaçi në emisionin Argument Plus të RTV 21.