Thaçi: Do ta shqyrtojmë heqjen e TVSH-së për lëndën e parë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se qeveria do të shikojë mundësinë më të shpejtë që të heqë edhe TVSH-në për lëndën e parë dhe përpunimin e drurit dhe për prodhimin e mobileve.

Lajme

03/05/2014 18:20

Në kuadër të vizitave që po iu bënë bizneseve në Kosovë, ai sot ka vizituar edhe disa ndërmarrje të prodhimit të mobileve në Vushtrri.

Thaçi ka vizituar tri kompanitë e mobileve, “BINNI”, “DEKRA” dhe “Ciao BERTO”, kompani këto që kanë punësuar mbi 120 punëtorë.

Thaçi, ka thënë se është i kënaqur me bisedat që ka zhvilluar me përfaqësuesit e këtyre kompanive, me numrin e madh të punëtorëve, e që paguhen mirë, por edhe me cilësinë, që e kanë në përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobilieve.

“Unë sot jam këtu në Vushtrri për të vizituar bizneset. Kam vizituar tri kompani të fuqishme të përpunimit të drurit dhe mobileve, tri kompani shumë të fuqishme jo vetëm të Vushtrrisë, por kompani shumë të fuqishme edhe në nivel të Kosovës, por mund të them edhe të rajonit”, ka thënë ai, raporton KosovaPress

Kryeministri, ka thënë se qeveria e vendit do të shikojë mundësinë më të shpejtë që të heqë edhe TVSH-në për lëndën e parë dhe përpunimin e drurit dhe për prodhimin e mobileve, në mënyrë që të krijohen kushte dhe rrethana shumë më të lehta për përpunimin e tyre, me qëllim që të zgjerohen bizneset, dhe të hapen edhe vende të reja të punës.

Ndryshe, Fondi i Punësimit dhe Zhvillimit, që pritet të krijohet shpejtë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me një fond prej 1,5 miliard eurosh, në të ardhmen do tu dalë në ndihmë që të hapen edhe bizneset e reja dhe të hapen edhe vende të reja të punës, ka theksuar Kryeministri Thaçi.

(KosovaPress)