Thaçi dënon mbishkrimet mbi shtëpitë e pronat serbe (video)

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur shqetësimin me mbishkrimet në disa objekte kulturore dhe historike që i takojnë komunitetit serb në Kosovë.

Lajme

29/10/2014 14:12

Duke folur në emër të Qeverisë në detyrë, Thaçi ka thënë se i dënon rëndë të gjitha këto incidente nga autorë ende të panjohur, por që beson se organet përkatëse do t’i zbardhin emrat e tyre.

Ai në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se pavarësisht këtyre, ekzekutivi është i vendosur të punojë bashkërisht me palën serbe.

“Qeveria e Republikës së Kosovës edhe njëherë dënon të gjitha këto incidente, të gjitha këto mesazhe që nuk përkojnë fare as me traditën e qytetarëve të Kosovës as të institucioneve të vendit”.

“Pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit kemi dërguar mesazhin më të mirë të mundshëm, se mund të jetojmë bashkë, se do ta zhvillojmë vendin bashkë, se do ta integrojmë vendin bashkë në strukturat e NATO-s dhe BE-së e OKB-së. Ajo marrëveshje ka dërguar mesazhin për të gjithë qytetarët e vendit por edhe mesazhin për rajonin se edhe shteti i Kosovës dhe Serbia mund të ndërtojnë një fqinjësi të mirë, mund të kenë një të ardhme të sigurt Evropiane”.

“Pavarësisht zhvillime apo incidenteve të ndryshme që kanë ndodhur në ditët e kaluara ne jemi të vendosur që të punojmë bashkërisht. Dhe, natyrisht se organet përkatëse do të punojnë për zbulimin e këtyre personave që kanë bërë këto mbishkrime apo këto sulme mbi disa shtëpi dhe prona serbe”, tha Thaçi.