Tetovë, protestë kundër kazinove. Bashkë me Universitetin, edhe Teuta Arifi

Qytetarët e Tetovës dhe rrethinave të saj protestuan kundër kazinove dhe pikave të basteve në qytet. Në Tetovë, në rrugën e “Ilindenit” dhe në bulevardin “Iliria” ka mesatarisht një të tillë çdo 45 metra.

Lajme

05/05/2018 13:54

Shkak i protestës u bë hapja e një kazinoje përballë Universitetit të Tetovës. Protestuesit kërkuan që kazinotë, jo vetëm të mos jenë afër shkollave, por të dërgohen të paktën 3 kilometra jashtë qytetit.

Protesta u përkrah edhe nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ajo, edhe pse u kritikua nga masa për këtë fenomen që ndodh në Tetovë, është shprehur se përgjegjësia qëndron te Ministria e Financave dhe se komuna nuk ka asnjë kompetencë mbi organizimin e lojërave të fatit.

“Inspektoriatet tona nuk janë kompetente për të marrë vendim në këtë drejtim. Kërkesa jonë si komunë dhe si këshill komunal është që të jenë jo vetëm 100 metra nga objektet shkollore, por distanca e tyre nga të gjitha objektet e interesit publik të jetë 3 kilometra, e po ashtu komuna të ketë kompetencat e veta, sepse nuk është paraparë në asnjë moment”, tha Teuta Arifi, kryetarja e komunës së tetovës.

Në të njëjtin kuadër u shpreh edhe rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, i cili i kërkoi qeverisë të marrë masa.

“Apeloj organet e shtetit që të jenë seriozë dhe njerëzit të jenë seriozë, jo vetëm të rrinë si kukulla aty, jo vetëm të vendosin nga një kollaro dhe të rrinë, por këtë devijim që i bëhet shoqërisë ta shqyrtojnë. Kjo është në dëmin tonë. Jo vetëm të dalin këtu të protestojnë sa për sy e faqe, por të marrë masat atje ku duhen marrë, sepse është nënkryetare e partisë dhe të jetë e përgjegjshme”, tha Vullnet Ameti, rektor i Universitetit të Tetovës.

Statistikat tregojnë se nga viti 2009 e deri më sot, nga Ministria e Financave janë licencuar thuajse 20 kompani për lojëra fati, me rreth 70 sallone për organizimin e lojërave si pokeri. Në Tetovë dhe rrethinat e saj rezultojnë të jenë 50 kazino dhe 150 pika bastesh sportive, ndërsa dyshohet se pjesa dërrmuese e aktivitetit të lojërave të fatit zhvillohet në të zezë./Top Channel