Tetë muaj pas plagosjes, familja e Vukashinoviqit: S’ka drejtësi pa ndryshim pushteti në Serbi
Tetë muaj pas plagosjes së Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi në Kosovë, rasti vazhdon të mbetet pa epilog. Vukashinoviqi, i cili pas plagosjes u dërgua në Serbinë qendrore, vazhdon të jetë i shtrirë në paraburgim, i palëvizshëm dhe me një plumb të mbetur në shtyllën kurrizore. Motra e tij, Ivana Vukashinoviq, në një intervistë për mediumin…
Lajme
Tetë muaj pas plagosjes së Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi në Kosovë, rasti vazhdon të mbetet pa epilog. Vukashinoviqi, i cili pas plagosjes u dërgua në Serbinë qendrore, vazhdon të jetë i shtrirë në paraburgim, i palëvizshëm dhe me një plumb të mbetur në shtyllën kurrizore.
Motra e tij, Ivana Vukashinoviq, në një intervistë për mediumin serb Nova, thotë se familja nuk pret që rasti të zbardhet derisa të ketë ndryshim të pushtetit në Serbi, transmeton KosovaPress.
Sipas saj, vëllai i saj fillimisht ishte transferuar nga Burgu Qendror në Beograd në paraburgimin e Prokuples pa u njoftuar familja. Pas reagimeve të avokatit Ivan Niniq dhe familjes, ai u dërgua për trajtim në repartin e fiziatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Nishit, por më pas u rikthye sërish në paraburgim.
Ivana Vukashinoviq deklaron se kallëzimi penal që familja ka dorëzuar është në kompetencë të Prokurorisë në Krushevcë, por, sipas saj, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
“Derisa nuk ndryshon pushteti, fatkeqësisht nuk presim që do të punohet për zbardhjen e këtij rasti”, ka deklaruar ajo për Nova.
Ajo shton gjithashtu se aktakuza e ngritur ndaj vëllait të saj është kthyer nga Gjykata e Apelit në prokurori dhe ende nuk është konfirmuar.
Vukashinoviqi u plagos më 1 nëntor 2025 në fshatin Jellashcë të Leposaviqit, në rrethana që ende nuk janë sqaruar. Pas ngjarjes, ai u transportua në Serbinë qendrore pa dijeninë e familjes, ndërsa lajmin për plagosjen e tij e bëri publik avokati Ivan Niniq.
Niniq kishte deklaruar se klienti i tij ishte qëlluar disa herë në shpinë dhe kishte pretenduar se në incident dyshohej të ishin përfshirë persona me uniforma ushtarake pa shenja identifikuese, të cilët lëviznin me automjete pa targa. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Në deklaratën e dhënë para Prokurorisë së Lartë Publike në Prokuple, Vukashinoviqi ka rrëfyer se atë ditë ishte nisur për t’u takuar me një person të identifikuar si Dragomir A., i cili, sipas tij, do t’i sillte mjaltë dhe raki. Ai ka deklaruar se gjatë lëvizjes në një rrugë alternative kishte goditur me automjet një trung të vendosur në rrugë, por kishte vazhduar lëvizjen.
Sipas dëshmisë së tij, pak më vonë automjeti i tij u rrethua nga disa persona, të cilët hapën zjarr në drejtim të tij.
“Kur dola nga ajo rrugë në livadh, makinat më rrethuan nga disa persona dhe filluan të shtënat. Në një moment kuptova se po shtënin mbi mua dhe ndjeva se jam goditur”, ka deklaruar ai para prokurorit.
Ai ka thënë se më pas persona të panjohur e kanë nxjerrë nga automjeti dhe e kanë transportuar deri në spitalin e Prokuples, prej nga u dërgua për trajtim në Nish.
Pas publikimit të rastit, disa media në Serbi pranë pushtetit e etiketuan Vukashinoviqin si “spiun”, gjë që, sipas raportimit të Nova, lidhet me konfliktin e tij me Listën Serbe.
Ndërkohë, ish-zëvendësministri Radoica Radomiroviq, mik i familjes, ka deklaruar për se Vukashinoviqi lëviz me karrocë invalidore, i nënshtrohet elektroterapisë dhe ende ka plumbin në shtyllën kurrizore, ndërsa gjatë plagosjes ka humbur edhe një veshkë.
Radomiroviq ka thënë se Vukashinoviqi i ka rrëfyer se ishte sulmuar nga persona të maskuar, por nuk mund të fliste më shumë, pasi, sipas tij, telefonat e familjes janë nën mbikëqyrje. Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si autoritetet serbe e kanë trajtuar Vukashinoviqin pas plagosjes, duke pretenduar se ai është mbajtur në paraburgim pa kujdes adekuat mjekësor dhe është transferuar disa herë pa dijeninë e familjes.