Tetë muaj heshtje për rastin që preku sigurinë kombëtare
Kanë kaluar afro tetë muaj nga sulmi mbi kanalin kryesor të ujësjellësit Ibër-Lepenc në fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit – dhe pak ose aspak dihet për këtë sulm, përveç faktit se dy persona vazhdojnë të jenë në paraburgim. Përkundër rëndësisë së infrastrukturës së sulmuar…

Lajme
Kanë kaluar afro tetë muaj nga sulmi mbi kanalin kryesor të ujësjellësit Ibër-Lepenc në fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit – dhe pak ose aspak dihet për këtë sulm, përveç faktit se dy persona vazhdojnë të jenë në paraburgim.
Përkundër rëndësisë së infrastrukturës së sulmuar dhe përfshirjes së Prokurorisë Speciale, madje edhe të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në procesin hetimor, ende nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar për motivet, autorët apo ecurinë e hetimeve.
Heshtja institucionale që pasoi këtë incident të rëndë ka ngritur shqetësime për mungesë transparence në trajtimin e rasteve që lidhen me sigurinë kombëtare dhe infrastrukturën kritike të vendit.
Që nga 17 korriku, Albanian Post ka dërguar pyetje te Prokuroria Speciale dhe FBI-ja për të kuptuar më shumë mbi hetimet dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Politologu Dritëro Arifi deklaron se mungesa e transparencës në demokraci dëmton drejtpërdrejt kredibilitetin e institucioneve qeveritare dhe të drejtësisë, si dhe ndikon negativisht në kohezionin dhe autoritetin e shtetit ligjor.
“Heshtja e institucioneve të Kosovës rreth rastit të sulmit ndaj Ibër-Lepencit për më shumë se shtatë muaj, në një farë mënyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë dëmton legjitimitetin e institucioneve kosovare. Zakonisht, në raste të ngjashme, në demokraci më të etabluara apo funksionale, autoritetet publike së paku japin informacione minimale, periodike – qëllimshëm për të ruajtur besimin publik dhe për të dëshmuar përkushtim ndaj hetimit”, thotë Arifi për AP.
I tërë ky boshllëk, sipas Arifit, po krijon hapësirë për dezinformim dhe teori konspirative.
“Pra, kjo mungesë e thellë transparence krijon perceptimin e pandëshkueshmërisë dhe joprofesionalizmit. Normalisht, kjo ndikon menjëherë në uljen e besimit, si te organet e drejtësisë ashtu edhe te vetë mendësia e qeverisjes”.
Ndërkohë, avokati Xhevdet Smakiqi sqaron se tetë muaj pas ngjarjes ende nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me ecurinë e procedurës penale ndaj dy të arrestuarve.
“Nuk dihet nëse është ngritur aktakuzë ndaj tyre, nëse janë liruar nga masa e paraburgimit, apo nëse janë identifikuar të dyshuar të tjerë dhe janë zgjeruar hetimet në drejtim të organizatorëve të sulmit ndaj infrastrukturës jetike të Republikës së Kosovës”, thotë Smakiqi për AP.
Ai shton se, nga këndvështrimi ligjor, prokuroria ka afat trevjeçar për të zhvilluar hetimet deri në ngritjen e aktakuzës ose për të vendosur pushimin e tyre në rast se nuk identifikohen kryesit e veprës penale.
“Por duke u nisur nga rëndësia e çështjes për sigurinë kombëtare, mungesa e plotë e transparencës dhe rezultateve konkrete, pas afro tetë muajsh hetime, përbën një dështim të madh institucional dhe rrezikon të minojë besimin e publikut në efikasitetin e organeve të sigurisë dhe drejtësisë”.
Riparimi i dëmit të shkaktuar në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok kapi vlerën e rreth 400 mijë eurove.
Institucionet e Kosovës kishin deklaruar se sulmi ishte kryer me rreth 20 kilogramë eksploziv dhe ishte realizuar nga persona të trajnuar për përdorimin e mjeteve shpërthyese, të cilat aktivizoheshin me fitil me djegie të ngadaltë.
Gjatë aksionit policor ishin sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK-47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para të gatshme në euro dhe dinarë, si dhe pajisje të tjera.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit tërë veriun e Kosovës, përfshirë rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, për ftohjen e termoelektranave të saj.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, të cilin e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.
Për autoritetet e Kosovës, ky ka qenë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998–1999.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilët kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.