Tetë gra në ditë viktimë e dhunës në familje në Kosovë – historia e njërës prej tyre

Në Kosovë të dhënat e policisë tregojnë se vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar një mijë e 475 raste të dhunës në familje, e cila kryesisht është dhunë ndaj gruas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Edlira Bllaca bisedoi me një të mbijetuar të kësaj dhune e cila pas dhjetë vjetësh iku…

Lajme

28/08/2024 20:35

Në Kosovë të dhënat e policisë tregojnë se vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar një mijë e 475 raste të dhunës në familje, e cila kryesisht është dhunë ndaj gruas.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Edlira Bllaca bisedoi me një të mbijetuar të kësaj dhune e cila pas dhjetë vjetësh iku nga shtëpia e bashkëshortit dhe nisi përpjekjet për një jetë të re. Veprimtarët thonë se sfida më e madhe mbetet riintegrimi i këtyre grave në shoqëri duke u siguruar vendbanim e punësim.

Arta, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë por është ndryshuar për shkaqe sigurie, ishte martuar rreth moshës 25 vjeçare, pak pasi kishte përfunduar studimet. Dhjetë vjet më pas, ndërsa flet me Zërin e Amerikës, kujton kohën kur ishte martuar me ndërmjetësimin e familjes.

“Më ka bindur se është djalë i mirë. Familjen e ka shumë të mirë, edhe ai dukej se ishte djalë i mirë, por ky moment dhe vend ku jam unë tash është dëshmi se ai nuk është as për grua as për familje”, thotë ajo.

Pas martesës dhe posaçërisht pas lindjes së fëmijës së parë, gjithçka ndryshoi për Artën..

“Dhunën nuk e kam përjetuar as si fëmijë, as si vajzë por as si grua nuk ma ka marrë mendja që do ta përjetoj një dhunë prej një njeriu të pavlefshëm. Dua ta them këtë, një burrë nëse ngrit dorë mbi gruan është më i dobëti nëse nuk ka arsye, por edhe nëse ka arsye ka shumë mënyra për zgjidhje, është divorci që shumë më i lehtë do të ishte edhe për mua. Por ky ka qenë një person që as nuk të ka vrarë as nuk të ka lënë të jetosh, domethënë të ka mbajtur peng”, thotë Arta.

Për dhjetë vjet ajo thotë se duroi dhunën e vazhdueshme psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti.

“Kur më ka goditur kam qenë në muajin e shtatë të shtatzënisë, e kam pasur djalin e vogël nuk i ka pasur ende një vit. Kur më ka goditur, djali ka bërtitur me të madhe nga zhurma dhe britma ime sepse ka qenë një goditje e tmerrshme. Unë isha shtatzënë por ai nuk e ka menduar a po më godet në bark, në këmbë, në dorë a në të majtë dhe kur më ka goditur më ka sjellur në vend”, rrëfen ajo.

Arta thotë se bashkëshorti nuk e lejonte të përdorte mjete mbrojtëse duke bërë që ajo sot t’i ketë gjashtë fëmijë të cilët i lindi dhe rriti nën dhunë deri nga gjysma e parë e këtij viti.

Para pak muajsh ajo vendosi të ikte nga shtëpia pasi mbeti e lënduar rëndë nga dhuna e bashkëshortit, i cili siç rrëfen Arta, kishte nisur ta kërcënonte edhe më jetë.

“Ka qenë një moment i rëndë, nuk e lejova më as që fëmijët e mi të rriten në atë mjedis të dhunshëm. I mora fëmijët, vazhdova, shkova në polici, nuk kam menduar asgjë tjetër vetëm sigurinë”, thotë ajo.

Arta tani jeton në njërën nga dhjetë shtëpitë e sigurta në Kosovë të cilat strehojnë gratë, viktima të dhunës në familje dhe fëmijët e tyre.

“Tash e tutje i kam fëmijët e mi, primare është shkollimi i tyre, primare është edhe strehimi ta kenë, mos të vuajnë për ushqim, për veshmbathje, të jem afër tyre në çdo moment dhe mos të dorëzohem asnjëherë para fëmijëve të mi, as lotin nuk dua të ma shohin, edhe pse në këto momente tradhton loti…”, thotë ajo.

Drejtoresha e strehimores në Prishtinë, Zana Asllani, i tha Zërit të Amerikës se deri në fund të gushtit të këtij viti në këtë institucion kanë kërkuar strehim 96 persona, ndërsa gjatë tërë vitit të kaluar kanë qenë të strehuar 171 persona.

“Rastet këtu janë kryesisht të moshës të re ose të mesme, më pak ka të moshuara, mirëpo ka edhe nga ato raste që nuk kanë përkujdesje qoftë prej fëmijëve apo prej anëtarëve të tjerë të familjes dhe përjetojnë dhunë në familje”, thotë ajo.

Zonja Asllani thotë se ndonëse ka rritje të buxhetit për strehimoret, ai nuk është i mjaftueshëm meqë kërkesat dhe nevojat e të mbijetuarave posaçërisht në kontekst të riintegrimit në shoqëri janë shumë të mëdha.

“Herë pas herë ne kemi projekte që t’u ofrojmë viktimave ngritje profesionale, përveç tjerash kemi punë dore që janë të specializuara për të ofruar këtë shërbim, mirëpo kjo nuk është diçka që ju siguron një pavarësi ekonomike afatgjate. Është një përparësi nga pjesa e sektorit privat që nuk po heziton të punësojë këto viktima, mirëpo viktima edhe nëse e gjen një punë nuk e ka vendbanimin. Asaj i duhet të paktën të ketë tri komponente, vendbanimin, punësimin edhe fëmijët t’i dërgojë në kopsht nëse i ka të asaj moshe”, thotë ajo.

Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se kohëve të fundit ka rritje të dhunës por edhe raportimit të saj.

“Mund të themi se është rritur dhuna sepse kemi parë indikatorë që është rritur dhuna te kategori të ndryshme të shoqërisë dhe kjo ka ndodhur edhe për shkak të krizës ekonomike sepse është rritur edhe shkalla e varfërisë kohëve të fundit dhe këto të dyja janë të ndërlidhura. Kemi parë edhe rritje të raportimit dhe jo domosdoshmërishtt në momentin kur ndodhë dhuna por thjeshtë një mosdurim i grave për të jetuar një jetë me dhunë”, tha ajo.

Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, në gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar një mijë e 475 raste të dhunës në familje ndërkaq gjatë tërë vitit të kaluar ishin raportuar dy mijë e 639 raste.

Zonja Demolli thotë se zinxhiri institucioneve që trajtojnë rastet e dhunës në familje ka ende shumë mangësi thotë zonja Demolli.

“Në njëfarë mënyre shteti jonë nuk e lufton në mënyrën e duhur që nga raportimi në polici, ka mbetje të patriarkatit sepse nuk ka të bëjë vetëm me atë çfarë flet por edhe me sjelljen e një polici, mënyra se si afrohet me një grua, si e shikon, si e paragjykon tregon shumë sepse shkojmë afrohemi e flasim me viktimat dhe e shohim. Pastaj prokurori nuk është që menjëherë e hap rastin, nëse kryesisht dhuna ndodh natën ndodh që nuk lajmërohet me kohë e neglizhon, përveç nëse ka një rast që mund të prodhoj material për media e shohim njëfarë përshpejtimi të punës së tyre”, thotë ajo.

Zonja Demolli thotë ka nevojë për përfshirje më të madhe të grave në polici, prokurori e gjyqësor për të ashpërsuar luftën kundër kësaj dukurie, e cila në Kosovë jo rrallë herë shndërrohet në femicid.

Në fillim të muajit gusht, një grua vdiq nga plagët e shkakruara nga bashkëshorti i saj në një fshat të komunës së Gracanicës. Në muajin prill, dy gra, një në Pejë e tjetra në Ferizaj, u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Që nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. VOA