Testi i kourumit

Kuvendi i Kosovës ka dështuar në javët e fundit të marrë vendime të rëndësishme në mungesë të kourimit. Tani kur shumë deputetë janë bërë pjesë e fushatës elektorale, Kuvendi do ta ketë edhe më vështirë të sigurojë praninë e tyre në sallë. Kourumi testohet sot

Lajme

17/10/2013 07:25

Fushta elektorale ka zhvendosur shumë deputetët nëpër mitingje të ndryshme, gjithandje Kosovës, ku po zhvillohet një garë e fortë elektorale.

Partitë politike kanë intensifikuar fushatën, duke mbajtur nga disa takime në ditë, në disa qytete. Padyshim pjesë e këtyre tubimeve janë bërë edhe deputetët që vijnë nga zonat ku mbahen ato.

Pjesëmarrja e tyre në tubime konsiderohet e ligjshme. Por, a e ka dëmtuar mungesa e tyre punën e Kuvendit të Kosovës, i cili ka dështuar të marrë vendime të rëndësishme në mungesë të kourumit?

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, që vjen nga radhët e partisë në pushtet, thotë për lajmi.net se është është normale që deputetët të marrin pjesë në fushatën zgjedhore.

“Edhe deputetët kanë ardhur përmes fushatës. Askush nuk mund t`i ndalojë deputetëve që të bëjnë fushatë për partitë e tyre”.

“Problemi është nëse ata do të marrin pjesë kur të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës”.

“Ne sot kemi seancën e radhës dhe aty  do të shohim nëse deputetët i janë përgjigjur ftesës së Kryesisë së Kuvendit për të qenë prezent në sallë”.

Deri tash, Xhavit Haliti nuk mendon se është dëmtuar puna e Kuvenidt nga pjesëmarrja e deputetëve në fushatën zgjedhore.

“Besoj që nuk është dëmtuar fare për arsye se me Rregullore Kuvendi ka çdo dy javë seancë. Ne i kemi tejkaluar realisht konkludimet sipas rregullores”.

“Në Rregullore shkruan që çdo dy javë ka seancë të re në Parlamentin e Kosovës dhe është hera e parë që seanca është shtyrë”.

“Por, nuk ka pasur ligje për t’u shqyrtuar në seancën e kaluar”.

“Ndoshta ka qenë edhe e planifikuar nga partitë e interesuara dhe Grupet Parlamentare që të  mos ketë seancë dhe mos të ketë materiale për seancë gjatë fushatës. Por ne si Kryesia kemi vendosur që sot  të ketë seancë dhe besoj se ajo do të mbahet”.

Haliti thotë se nuk ka pasur ndonjë çështje të rëndësishme duke pritur në Kuvend, e cila ka mundur të ketë pasoja nga shtyrja e seancës.

“Nuk ka pasur diçka që e ka dëmtuar Kosovën, apo i ka dëmtuar interesat e Kosovës. Ka pasur ligje të cilat mund të them që po të mos ishin miratuar do të ishin pengesë e ndonjë çështjeje”.

“Por, po e përsërisë, nuk ka pasur ndonjë problem ose ndonjë çështje për të cilën është dashur që të votohet dhe është penguar Kosova që të ecë më tutje”.

Xhavit Haliti thotë se një çështje e nxehtë për sot do të jetë priviatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Deri tash Kuvendi ka dështuar të paktën në pesë tentimet e tij të marrë një vendim për shitjen e kësaj ndërmarrje, në mungesë të kourumit nga braktisja e seancës, njëherë nga opozita e pastaj nga vetë pozita.

Seanca e sotme, që vjen në mes të fushatës elektorale, do të jetë një test për kourum, që do të tregojë nëse është paralizuar ose jo puna e Kuvendit nga kampajna parazgjedhore.