Terrorizmi Verbal
Publicisiti Halil Matoshi vlerëson se rikthimi i fjalorit të dhunshëm politik në fushatë zgjedhore dëshmon mungesën e emancipimit politik dhe panikun për humbjen e pushtetit. Thotë se politikanët që përdorin gjuhë të dhunshme - duhet të penalizohen.

Lajme
Fushata e balotazhit ka filluar rrufeshëm, me një ashpërsim gjuhe mes kandidatëve për kryetarë komunash, të cilët garës për ta fituar pushtetin lokal i kanë hyrë jo me plane për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por me strategji për akuza me terma “vrasës”, “reketash”, “hajn”, “idiot”, e “tradhtar”.
Nga Prizreni, Gjilani, e Peja, vjen përshtypja sikur vendi po kthehet në vitin 1999, kur gjuha e urrejtjes dominonte skenën politike.
Publicisti Halil Matoshi, në një intervistë për lajmi.net, pohon se me këtë gjuhë po shfaqet qartë mungea e emancipimit politik të klasës politike kosovare.
“Me vetë faktin që po rikthehet fjalori i dhunshëm politik, ose ai që unë e quaj ‘terrorizëm verbal’, në fushatat zgjedhore në Kosovë, dëshmon për një mungesë totale të etikës së pushtetit të zyrtarëve politikë kosovarë”.
“Po ashtu, dëshmon jo vetëm mungesën e emancipimit politik, por edhe panikun në të cilin gjenden aktualisht, sidomos politikanët të cilët e kanë shijuar gjatë pushtetin që nga paslufta në Kosovë dhe tash janë në panik që ai mund t’u rrëshqasë nga duart.”
“Kështu që, gjithmonë, kundërshtari shihet si armik e nuk shihet si rival ose konkurrent politik.”
“Për mua, kjo gjuhë është shumë e rrezikshme. Dihet se Kosovës i ka kushtuar shumë shtrenjtë.”
“Prandaj, në këtë rast, mendoj se duhet të ndërhyjë edhe KQZ që t’i sanksionojë ose penalizojë politikanët të cilët përdorin gjuhë të dhunshme, por duhet të lëvizë edhe Prokuroria e Shtetit, sepse thirrja në dhunë ndaj tjetrit, ndaj kujtdo qoftë, sanksionohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.”
Pse është e vështirë për politikanët kosovarë që ta përmirësojnë diskursin politik, ta pasurojnë atë në aspektin intelektual?
Halil Matoshi thotë se dyshon që në politikën kosovare ka intelektual të mirëfilltë.
Ai mendon se kryesisht klasa politike e Kosovës përbëhet prej njerëzve pa profesion, prej njerëzve me muskuj, e nuk shquhet nga maturia e mençuria politike.
“Kështu që, unë mendoj se kemi një klasë politike shumë budallaqe dhe nuk mund t’i fusim në korpusin e atyre që ne i quajmë intelektualë.”
Matoshi nuk e përjashton mundësinë që një gjuhë e tillë agresive mund të prodhojë efekte konkrete më 1 dhjetor dhe ta dëmtojë procesin zgjedhor, kur kandidatët e partive politike do të ballafaqohen në betejën e balotazhit.
Por, thotë se nuk dëshiron ta besojë që një gjë e tillë të ndodhë.
“Fillimisht zgjedhjet e 3 nëntorit, nga shumëkush u cilësuan si zgjedhjet më të mira që i ka pasur Kosova, së paku krahasuar me zgjedhjet paraprake të vitit 2010 dhe 2009. Mirëpo, ky nuk është kurrfarë krahasimi, sepse dihet se zgjedhjet e kaluara kanë qenë me të këqija në historinë e votimeve në Kosovë.”
“Dhe, nëse janë këto më të mira, nuk është shënuar kurrfarë përparimi, sepse edhe këtë herë doli se është abuzuar me votën e lirë të qytetarit”.
“Në këtë rast, dua të besoj se, megjithatë, me njëfarë rizgjimi ose aktivizimi të mekanizmave të shtetit, si organet e ndjekjes, Policia, Prokuroria e Shtetit, Gjykatat, nuk do të ndodhë prishja ose dështimi i procesit zgjedhor të balotazhit.”
“Mirëpo, duket se, megjithatë, incidente mund të priten, ose janë të pritshme, sepse ai panik që po vërehet tek politikanët që kanë qëndruar gjatë në skenën politike – mund të çojë në dhunë, në akte të dhunshme, sepse frika është gjithmonë një këshilltar shumë i keq dhe rëndom shpie në dhunë.”
“Por, larg qoftë, unë dua të besoj se mekanizmat e shtetit ose institucionet shtetërore më në fund kanë fituar një pjekuri politike, një pjekuri shtet-ndërtuese, dhe nuk do të lejojnë akte të dhunshme”, thotë Halil Matoshi për lajmi.net.