Tërmeti në Istog ishte 4,1 shkallë Rihter, nuk dihet për dëmtimet

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) jep detajet për tërmetin që është shënuar sot në rajonin e Istogut dhe Pejës.

Lajme

21/01/2015 09:57

Kjo ministri, duke u bazuar në Rrjetin Sizmik të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Divizionit Sizmologjik të Kosovës, raporton se sot në ora 02:30 sipas kohës lokale, vendi është goditur nga një tërmet me magnitudë 4,1 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet V1/2 ballë të Merkalit.

“Epiqendra e këtij tërmeti ishte 12 km në perëndim të Istogut, 67 km në perëndim të Prishtinës, respektivisht në koordinatat: 42.74 (latituda) dhe 20.35 (longituda), ndërsa thellësia hipoqendrore ishte 5 km”, thuhet në këtë njoftim.

Për shkak të thellësisë së përfillshme të vatrës së tij, tërmeti në fjalë thuhet të jetë ndier dukshëm nga banorët e Istogut, po ashtu edhe në vendet fqinje të Kosovës.

Deri më tani Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës nuk posedon të dhëna lidhur me dëmtimet eventuale në zonën epiqendrore./KosovaPress/.