Tërhiqet nga gara kompania e rekomanduar, MINT anulon tenderin për rezervat e grurit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka anuluar tenderin për furnizim me grurë, për nevoja të rezervave shtetërore për vitin 2024. Sipas një sqarimi të bërë nga MINT-i, del që arsyeja e anulimit të këtij tenderi është se operatori i rekomanduar nga MINT është tërhequr nga gara. “Operatori ekonomik i rekomanduar është tërhequr dhe nuk…
Lajme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka anuluar tenderin për furnizim me grurë, për nevoja të rezervave shtetërore për vitin 2024.
Sipas një sqarimi të bërë nga MINT-i, del që arsyeja e anulimit të këtij tenderi është se operatori i rekomanduar nga MINT është tërhequr nga gara.
“Operatori ekonomik i rekomanduar është tërhequr dhe nuk ka mundur të përfundonte ky aktivitet i prokurimit për vitin 2024. Njëherësh pranimin e njoftimit nga DRSHM-ja se nuk ka buxhet të planifikuar për këtë procedurë sipas shumës së tenderuar në vitin 2024 dhe se ky aktivitet i prokurimit do të tenderohet me vlera të tjera për vitin 2025”, thuhet në sqarimin e MINT-it.
Po ashtu, për këtë procedurë ishin planifikuar katër kompani, që sipas arsyetimit të prokurimit të ministrisë del që ofertuesit e tjerë nuk i kishin përmbushur kërkesat për furnizim me grurë.
E këtu duhet përkujtuar që Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar çështjen e rezervave shtetërore nga kjo ministri.
Madje pikërisht në lidhje me këtë çështje për intervistim është ftuar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ende nuk është paraqitur në Prokurori për deklarim, derisa ka ftuar prokurorët që atë ta intervistojnë në Qeveri./Lajmi.net/