Tentoi t’i mashtrojë autoritetet kosovare me patentë shofer të falsifikuar, kështu e pësoi pejani

Një person në Pejë është arrestuar pasi që i njëjti dyshohet se ka tentuar t’i mashtrojë autoritetet me patentë shofer të falsifikuar.

Lajme

22/08/2019 17:26

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim të dokumentit  dhe Legalizim i përmbajtjes së rreme”, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së sotme Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit  – Pejë ka pranuar informacione se një person i dyshuar ka bërë falsifikimin e një dokumenti personal.

“Pas pranimit të këtyre informacioneve, menjëherë është filluar me procedurat e nevojshme për hetim të rastit, me ç’rast edhe është kryer arrestimi i personit të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, personi i arrestuar dyshohet se ka falsifikuar një patentë shofer të Republikës së Sllovenisë dhe të njëjtin dokument e ka përdorur për t’i vënë në lajthim autoritetet kompetente për pajisje me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

I arrestuari është një 54-vjeçar me inicialet K.G., dhe pas arrestimit të tij, të dyshuarit i është konfiskuar një patentë shofer i Republikës së Kosovës dhe në konsultim me prokurorin kompetent, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Lajmi.net/