Tentoi të vrasë katër persona në Deçan, ngrihet aktakuza ndaj të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.Z , për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Sipas aktakuzës, më 13 janar…

Lajme

15/07/2026 08:38

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.Z , për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit, i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona. Si pasojë e të shtënave, tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.

Aktakuza gjithashtu ngarkon të pandehurin se armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e kishte mbajtur pa autorizim ligjor, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët. Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri I.Z  të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.