Tentoi të ndërtonte “penthouse” në qendër të Prizrenit, Prokuroria ngrit aktakuzë për punime të kundërligjshme
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.J – person përgjegjës i personit juridik, dhe “E.I.”Sh.P.K. – person juridik, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.J – person përgjegjës i personit juridik, dhe “E.I.”Sh.P.K. – person juridik, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.
Në njoftimin për media thuhet se sipas aktakuzës, nga data 05.04.2024 dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2024, në Prizren në rrugën “Adnan Krasniqi”, i pandehuri I.J.,- si person përgjegjës i personit juridik dhe “E.I.” Sh.P.K– person juridik, veprojnë në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.
Të njëjtit vazhdojnë me realizimin e punimeve edhe pas ndërprerjes duke bërë betonimin e aneks pllakës së ‘penthouse’, mbi pllakën e aneksit të ‘penthouse’ betonohen dy shtylla dhe trau.
Në njoftim tutje thuhet se të pandehurit e lartcekur, në mënyrë të kundërligjshme heqin shiritat e ngjitur nga zyrtari i autorizuar- Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të cilët i kishin vendosur për ndalimin e punëve ndërtimore në ‘penthouse’, duke vazhduar me punët ndërtimore në objekt.
“Me këto veprime, të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprat penale ‘Punimet ndërtimore të kundërligjshme’ dhe ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave’ sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet tutje.