Tentimi i 23-të me radhë për të konstituuar Kuvendin, deputetët mblidhen sot sërish
Sot, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e 23-të me radhë për konstituimin e Kuvendit. Të martë, kur edhe u mbajt seanca e 22-të konstituive, ajo nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan…

Lajme
Sot, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e 23-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Të martë, kur edhe u mbajt seanca e 22-të konstituive, ajo nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Për komisionin për votim të fshehtë kanë votuar pro 54 kandidatë, një kundër dhe asnjë nuk abstenoi, shkruan lajmi.net.
Partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të arritur një marrëveshje për të konstituuar Kuvendin dhe pas tij për të formuar institucionet tjera.
Partia e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë propozuar për kryekuvendare Albulena Haxhiun e cila për gjashtë herë në votim nuk ka marrë më shumë se 57 vota, pasi partitë opozitare kanë deklaruar se Haxhiu është “figurë përçarëse” dhe se Kuvendit të Kosovës i duhet një figurë unifikuese.
Pas tentimeve për ta votuar atë, kryesuesi i Kuvendit, deputeti më i moshuar i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Dehari ka propozuar votimin e fshehtë, gjë e cila po konsiderohet antikushtetuese, pasi sipas opozitës nuk lejohet ndryshimi i procesit të votimit në mes të procesit.
AAK e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese propozimin e VV-së për ndryshimin e procesit të votimit, e nga Kushtetuesja dje për lajmi.net kanë thënë se janë duke e shqyrtuar.
‘‘Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni’’, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese për lajmi.net.
Për vonesat e krijuara në konstituimin e Kuvendit, ditë me radhë kanë shprehur shqetësimin edhe ndërkombëtarët të cilët kanë kërkuar nga partitë në Kosovë, zgjidhje sa më të shpejtë për të vazhduar me formimin e institucioneve.
Seanca e 23-të konstituive që do të mbahet sot mund të sjell rezultate pozitive apo të vazhdoj me ritmin e njëjtë të punës, duke u mbledhur deputetët përsëri të shtunën, pas 48 orëve. /Lajmi.net/