Tenderi për renovim të objektit të Komunës së Prizrenit- Dëmi mbi 412 mijë euro, aktakuzë ndaj 7 zyrtarëve në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., B.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2-1, lidhur me par. 3, nëpar. 3.1 lidhur me nenin…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., B.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2-1, lidhur me par. 3, nëpar. 3.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe D.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 parag. 3 lidhur me parag. 1 dhe 2 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, me datë 04.08.2022 në kohë të pacaktuar në Prizren, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, për vlerësimin e ofertave në tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke mundësuar përfitim grupit të operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T. Sh.P.K.”
Të pandehurit, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurorim Publik dhe në kundërshtim me Rregullat dhe Udhëzuesin e Prokurimit Publik, në atë mënyrë që i akuzuari Xh.D., në cilësinë e kryetarit të komisionit vlerësues, Y.G., dhe Q.K., anëtarë të komisionit, i rekomandojnë autoritetit kontraktues Komunës së Prizrenit, lidhjen e kontratës në vlerë 550.000,00 €, me grupin e operatorit të lartpërmendur, përkundër faktit që pesë operatorë të përgjegjshëm që nuk janë rekomanduar nga komisioni vlerësues, kanë qenë më të lirë rreth 203.47% përkatësisht 202.771.98 € sipas çmimeve mesatare të realizuar për tetë situacione deri më datë 05.08.2024.
Ndërsa, i akuzuari S.V., menaxher i kontratës, e akuzuara L.S., mbikëqyrëse e brendshme, i akuzuari B.J., mbikëqyrës i jashtëm, gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre nuk kanë vepruar konform legjislacionit të prokurimit, dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar dëmin autoritetit kontraktues lidhur me keq menaxhimin e kontratës.
I akuzuari E.Sh., në cilësinë e drejtorit të administratës – mbikëqyrës i menaxherit të projektit, ka ndikuar që operatorët ekonomik gjatë fazës së ofertimit të manipulojnë me çmime për njësi.
Të pandehurit e lartcekur, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe qëllimisht kanë mundësuar përfitim të dobisë pasurore për grupin e operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T.” Sh.P.K, duke shkaktuar dëm autoritetit kontraktues – komunës së Prizrenit, në vlerë prej 412.584,87€. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari D.N., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “A.T. Sh.P.K.”, Prizren, me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik, në atë mënyrë që paraqet dokumentacion të rremë sa i përket çmimeve të para- masës dhe para – llogarisë, me ç’rast shumica e pozicioneve kanë pasur çmime jo normalisht të ulëta dhe çmime spekuluese, ku nga 233 pozicione 74 pozicione nuk janë realizuar fare dhe qëllimi i uljes së çmimit në disa pozicione shumëfish nën çmimet e tregut ka qenë fitimi i tenderit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Lajmi.net/