Tender 400 mijë euro për bileta avioni- Ministria e Sportit e pezullon përkohësisht tenderin vetëm pas ankesës së operatorit ekonomik

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka pezulluar procedurën e prokurimit për furnizim me bileta avioni, një tender me vlerë të parashikuar prej 400 mijë eurosh, pasi një operator ekonomik kërkoi rishqyrtim të kritereve të vendosura në dosjen e tenderit. Sipas vendimit të Zyrës së Prokurimit, procedura për aktivitetin “005 – Shërbime të transportit Ajror –…

Lajme

16/07/2026 11:35

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka pezulluar procedurën e prokurimit për furnizim me bileta avioni, një tender me vlerë të parashikuar prej 400 mijë eurosh, pasi një operator ekonomik kërkoi rishqyrtim të kritereve të vendosura në dosjen e tenderit.

Sipas vendimit të Zyrës së Prokurimit, procedura për aktivitetin “005 – Shërbime të transportit Ajror – Avio Bileta”, me numër të prokurimit 225-26-4848-2-1-1, është pezulluar më 25 qershor 2026 deri në shqyrtimin e kërkesës.

Ankesa është paraqitur nga operatori ekonomik “Albasky L.L.C.”, i cili ka kundërshtuar disa nga kriteret e kualifikimit të vendosura nga autoriteti kontraktues.

Në vendimin për rishqyrtim, Zyra e Prokurimit e ka miratuar pjesërisht si të bazuar kërkesën e operatorit ekonomik dhe ka urdhëruar korrigjimin e dokumentacionit të tenderit përmes formularit standard për korrigjimin e gabimeve.

Konkretisht, ministria ka ndryshuar kriterin që kërkonte licencë valide nga IATA për vitin 2026, duke e zgjeruar atë për të pranuar edhe licenca ose certifikata ekuivalente të lëshuara nga organizata të tjera ndërkombëtare.

Po ashtu është ndryshuar edhe kriteri për stafin profesional. Fillimisht kërkohej që operatori ekonomik të kishte të paktën një punonjës të trajnuar nga IATA me së paku gjashtë muaj përvojë pune. Pas rishqyrtimit, ministria ka vendosur që do të pranohen edhe trajnimet nga organizata të tjera ekuivalente ndërkombëtare.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se, megjithëse ankuesi ishte referuar edhe një institucioni tjetër në argumentet e tij, autoriteti kontraktues, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe konkurrencës, ka vlerësuar se kriteret duhen harmonizuar me legjislacionin në fuqi për të siguruar një proces më konkurrues dhe jodiskriminues.

Pas këtij vendimi, Zyra e Prokurimit ka nxjerrë edhe një akt të veçantë për pezullimin e aktivitetit të prokurimit, duke bërë të ditur se procedura do të mbetet e pezulluar derisa të përfundojnë hapat e nevojshëm dhe të publikohen korrigjimet në platformën e prokurimit elektronik.

Tenderi prej 400 mijë eurosh synon sigurimin e shërbimeve të transportit ajror për nevojat e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, ndërsa procedura pritet të vazhdojë vetëm pasi të përditësohen kriteret e kualifikimit sipas vendimit të Zyrës së Prokurimit. /Lajmi.net/

Ankesa: