Termokosi rifillon ngrohjen, nga 12 orë në ditë

Ditën e parë të kësaj jave, të hënën, ndërmarrja publike “Termokos” njoftoi se për shkak të temperaturave të ulëta do të riaktivizojë ngrohjen për shfrytëzuesit e shërbimeve të saj.

Lajme

07/04/2015 19:56

Por, meqenëse nga 1 prilli i këtij viti është bërë ndërprerja e furnizimit me ngrohje përmes kogjenerimit, për arsye se blloku 1 i termocentralit ‘Kosova B’ është ndalur për remontin e planifikuar, “Termokos” ka nisur aktivizimin e kaldajave vetjake me mazut.

Kjo ndërmarrje që nxen një pjesë të banesave të Prishtinës, njoftoi se ngrohja përmes kaldajave me mazut do të vazhdojë varësisht nga temperaturat e ajrit në kryeqytet.

Sot kjo ndërmarrje ka bërë me dije edhe orarin e punës për ngrohje.

Zëdhënësi i “Termokosit”, Arsim Fetahu ka treguar se ngrohja me mazut nis në orën 5 të mëngjesit dhe ndërpritet në orën 11, ndërsa gjatë orëve të pasdites ngrohja nis në orën 16:00 dhe zgjat deri në orën 22:00.