Telefonatë me Ashton

Kryeministri Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Baroneshën Ashton dhe kanë diskutuar për rrjedhat e fundit në Kosovë e Rajon. Thotë se u dakorduan që nga viti i ri të intensifikohet angazhimi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

Lajme

18/12/2013 09:23

Kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Thaçi ka njoftuar për bisedën e tij me Ashton, në rrjetin social Facebook.

“Zhvillova një bisedë telefonike me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Baroneshën Ashton”.

“Vlerësuam lart fillimin e funksionalizimit të sistemit doganor të Republikës së Kosovës edhe në veri të Mitrovicës”.

“Biseduam për rrjedhat e fundit në Kosovë dhe rajon”.

“Gjithashtu vlerësuam si mjaft inkurajues fillimin e integrimit në Policinë e Kosovë të pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në Veri të Mitrovicës”.

“U dakorduam që nga fillimi vitit të ri të intensifikohet angazhimi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, si parakusht për të ardhmen europiane të Kosovës, Serbisë dhe rajonit”.