Të shtrenjtohet edhe më shumë duhani

Numri i duhanpirësve ka shënuar rënie, dhe për të ulur këtë numër edhe më shumë duhet të ngritën taksat e duhanit, që çmimi të jetë sa më i papërballueshëm.

Lajme

31/05/2014 16:04

Konsumimi i duhanit  dhe pirjes aktive tek adoleshentët, ka shënuar rënie në krahis me vitet e kaluara, ka bërë të ditur shefit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skënder Syla. 

Ai gjatë një konference me moton “Ngritni taksat e duhanit, zvogëloni vdekjet dhe sëmundjet”, të organizuar me rastin e shënimit të Ditës Botërorë kundër duhanit, tha se numri i duhan pirësve është duke rënë dhe siç pohoi ai nëse taksat e duhanit ngritën përdoruesit e duhanit do ta braktisin duhanin. 

“Duke krahasuar të dhënat e studimit gjithëpërfshirës për duhan pirje në Kosovë të vitit 2004 me studimin e sjelljeve që ndërlidhen me shëndetin e vitit 2014, pra dhjetë vite më vonë mund të vërehet qartë trendi i uljes së duhan pirjes aktive tek adoleshentët dhe ekspozimi më i vogël i tyre ndaj duhan pirjes aktive”. 

“ Kjo pasi që të dhënat e gjeneruar nga viti 2004 tregojnë se 84.2 për qind e fëmijëve jetonin në atë kohë në një ambient shtëpiak ku edhe pihej duhani , pra i eksponoheshin në mënyrë aktive pirjes së duhanit. Ndërkaq, të dhënat e studimit të realizuara në vitin 2014 i cili do të publikohet më 12 qershor të këtij viti tregojnë se ndonëse 56.2 për qind e fëmijëve të moshës 11- 15 vjeç kanë një apo më shumë familjarë që janë duhan pirës aktiv dhe vetëm 33.3 për qind e tyre kanë deklaruar që anëtarët e tyre të familjes tymosin duhan në ambientet e mbyllura shtëpiake që do të thotë 50 për qind më pak se në vitin 2004”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, tha  zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit është një nga më  të arritura në shëndetësinë kosovare.

“Përfundimisht pas programit të imunizimit aktiv të popullatës zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit paraqet arritjen më të madhe në shëndetin publik në Republikën e Kosovës, dhe në vitin e parë të zbatimit të këtij ligji përfundimisht mund të themi se rezultatet kanë qenë tejet inkurajuese….Pra, përfundimisht bëhet fjalë për të arriturën më të madhe në lëmin e shëndetit publik pas programit të imunizimit aktiv të popullatës”, ka deklaruar Agani.