Të shtënat me armë në festën paszgjedhore në Han të Elezit, Prokuroria inicion rastin për dy vepra penale
Vetëm një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në komunën e Hanit të Elezit janë dëgjuar të shtëna me armë gjatë një feste me këngë e muzikë. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Han të Elezit prin lista e udhëhequr nga kryetari aktual i komunës, Mehmet Ballazhi, i cili…

Lajme
Vetëm një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në komunën e Hanit të Elezit janë dëgjuar të shtëna me armë gjatë një feste me këngë e muzikë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Han të Elezit prin lista e udhëhequr nga kryetari aktual i komunës, Mehmet Ballazhi, i cili ka marrë 50.96% të votave.
Ky rezultat, që i jep epërsi Ballazhit në garën për kryetar, është pritur me festime nga një grup qytetarësh, ndërsa gjatë njërës prej festave të mbajtura në natën paszgjedhore janë dëgjuar edhe të shtëna me armë.
Në një video të publikuar në media tregohet momenti nga festa, ku shihet një person që nxjerr një armë, qëllon disa herë në ajër dhe më pas e fut armën në xhep. Mirëpo për këtë situatë nuk u raportua ndonjë reagim zyrtar nga organet e drejtësisë.
Lidhur me këtë ngjarje tashmë, për lajmi.net, janë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Ferizaj, nga ku thanë se për rastin është iniciuar vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë të procedurës, kjo është e gjitha çka mund të ndajmë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për lajmi.net.
Po ashtu lidhur me incidentin e ndodhur, për kallxo.com, ka folur edhe kryetari aktual në Han të Elezit, Mehmet Ballazhi, i cili ka mohuar të ketë organizuar ndonjë festë, duke sqaruar se është ftuar nga disa bashkëqytetarë dhe se nuk ka pasur lidhje me të shtënat që janë dëgjuar gjatë mbrëmjes.
“Më kanë thirrë disa mërgimtarë, unë kam shkuar për t’i respektuar. Ka gjuajtur dikush, i kam dëgjuar të shtënat, por nuk më ka interesuar kush dhe si, sepse me gjasë ka qenë armë me gaz”, ka deklaruar Ballazhi.
Ndërkaq zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli konfirmoi për lajmi.net, se një rast është trajtuar për armëmbajtje pa leje në fshatin Seqishtë, në Han të Elezit.
Rasti është regjistruar më 13.10.2025 rreth orës 22:00.
“Lidhur me një informatë për armë mbajtje pa leje është kontrolluar shtëpia e të të dyshuarit mashkull k- shqiptar ku është gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz. I dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Veseli dje gjatë ditës. /Lajmi.net/