Të shkurtrit më të rrezikuar nga sulmi në zemër

Njerëzit me trup të shkurtër përballen me një rrezik më të madh nga bllokimi i arterieve gjatë jetës së tyre, thuhet sipas një studimi që doli të mërkurën i cili konfirmon lidhjen tashmë të njohur në mes të lartësisë dhe sëmundjeve të zemrës.

Lifestyle

09/04/2015 15:54

Studimi është i pari i këtij lloji që tregon se rreziku më i lartë është kryesisht për shkak të një shumëllojshmëri gjeneve që ndikojnë nëse një person është i gjatë apo i shkurtër, dhe jo faktorët e tjerë si varfëria apo të ushqyerit e keq.

Hulumtimi është i publikuar në revistën mjekësore ‘New England’, transmeton Lajmi.net.

Hulumtuesit ekzaminuan 180 variante të ndryshme gjenetike në një bazë të dhënash të gati 200,000 njerëzve me dhe pa sëmundje koronare të zemrës, që shkaktohet nga bllokimi i arterieve dhe që mund të çojë në një sulm në zemër.

Ky është edhe shkaku më i zakonshëm i vdekjes së hershme në të gjithë botën, duke vrarë gati një në gjashtë meshkuj dhe një në dhjetë gra.

Hulumtuesit gjetën se çdo 2,5 inç në lartësinë e një personi kishte ndikim në rrezikun nga një sëmundje koronare të zemrës për 13%, transmeton Lajmi.net.

Si shembull, një person i gjatë do të ishte më pak i rrezikuar nga zhvillimi i ndonjë sëmundje koronare të zemrës se sa një person i shkurtër, thuhet në studim.

“Sa më i gjatë të jetë njeriu aq më pak mund të preket nga sëmundje koronare të zemrës”, thotë bashkë-autori Christopher Nelson, një lektor britanik në Universitetin Leicester.

“Dhe anasjelltas, nëse jeni gjenetikisht më të shkurtër atëherë rreziku juaj është më i lartë”, shton ai.