Të sëmurë e në mjerim, veç vetëvrasjen e shohin zgjidhje (Video/Foto)
“Fëmija herë sëmuren dhe herë qohen. Veresi po i marrë barnat deri në social. Ndodh shkon deri në 100 euro me ia marrë hapat fëmijëve, burrit njëjtë. Veç me hip në katin e tretë dhe me u rrëzuar, me mbytë vetën, tjetër rrugë nuk kemi”, thotë e zoja e shtëpisë.
Lajme
Prapa një dere prej druri, e cila është e çarë dhe rri gjysmë e hapur verë e dimër, jetohet në varfëri ekstreme. Tre fëmijëve të familjes Sadriu nga Prishtina ditët nuk po ua bënë të lumtura as pushimi veror, pasi çdo herë e jetojnë të njëjtën ditë, atë të mjerimit. Prindërit e tyre të papunë e të sëmurë, të ardhurat i kanë nga ndihma sociale prej 85 eurosh, me të cilat nuk arrijnë t’i mbulojnë as gjysma e nevojave mujore.
Brenda mureve e larta të shtëpisë funksionale është vetëm një dhomë, në të cilën familja pesë anëtarësh jetojnë tash e 9 vjet, shpeshherë edhe të uritur.
I zoti i shtëpisë, Muzaferi punën e vetme që bënë është mbledhja e hekurave, plastikave e paketave, të cilat i shet në mënyrë që të sigurojnë pak ushqim më shumë për fëmijët e tij.
E ushqimi që e sigurohet me këto para apo edhe nga të tjerët, shumë herë mund të jetë edhe i dëmshëm për ta. Kjo pasi ambienti në të cilën ai ushqim përgatitet paraqet një rrezik për shëndetin e tyre. Kuzhina e improvizuar, e përbërë vetëm nga një shporet, është fare pranë hapësirës që shfrytëzohet si banjo. Përveç kësaj, këto dy ambiente nuk kanë as dyer e çdo centimetër e tyre përmban myk.
E zonja e kësaj shtëpie, Val bona mundohet të tregojë jetën e vështirë që bënë kjo familje.
“Unë jam nënë e tre fëmijëve, burrin e kam sëmurë prej veshkave. 85 euro i marrë social dhe nuk më dalin, veç duke blerë kokrra, ilaçe si për veti, për burrë e për fëmijë. Shtëpia është llom, po më pikë uji në të gjitha anët, po e shihni edhe vetë. Shumë vështirë e kemi sepse me 85 euro njeri nuk mund të bëjë asgjë. Po të tregoj të drejtën se më vështirë që kam punët unë nuk e ka askush. Veç me dal me mbyt vetën, diçka me ia bë çarën. Tokë, shtëpi jo, shiu po më pikë në të gjitha anët, donë me më kall rryma, me qu poshtë prej lagështie e vllage”, tregoi ajo.
Ambientet e shtëpisë në të cilën jetojnë përveç që paraqesin rrezik për përhapjen e ndonjë epidemie, as në këtë gjendje, ajo tregon se nuk m und të thonë se kanë kulm mbi kokë, kjo pasi as kjo shtëpi e vjetër që nuk i plotëson nevojat nuk është e tyre.
Valbona tregon se disa herë ishin detyruar që ditët t’i kalonin në parkun e qytetit, pasi ishin përzënë nga shtëpia.
“Qe 15 vjet jemi nëpër shtëpi të huaja duke i ndërruar, hyn e qit. Më shumë kam qëndrua në park. 2 vjet e më shumë kam qëndrua në parkun e qytetit sepse nuk kam pas ku me hy dhe prapë se prapë duke me dal në park të qytetit sepse herë po në po më largojnë, herë po më lejojnë, si t’i vjen kuti shqiptarit. . Kemi fjet nja dy javë në park. Në mbrëmje shkonim brenda diku, te ndonjë shoqe diku sa më kalua natën dhe ditën dilja në park, derisa kanë ardhë njerëzit me kanë largu prej parkun dhe këtu ma kanë gjet dhe këtu kam hy”, tha ajo.
Tani që ende po vazhdojnë të qëndrojnë në këtë shtëpi që veç të tjerash në mesin e saj është edhe kanalizimi i lagjes që tani në ditët e nxehta kundërmon aromë të keqe, hallet shtohen shpesh edhe kur fëmijët sëmuren, pasi të ardhurat nuk dalin as për ilaçe.
Nëna Valbona, e lodhur nga kjo gjendje jetese, dhembjen më të madhe e ka kur dëgjon kërkesat që nuk mund t’ua plotësojë fëmijëve, që më i vogli është pesë vjeç, e më i madh 8 vjeç.
“Fëmija herë sëmuren dhe herë qohen. Veresi po i marrë barnat deri në social. Ndodh shkon deri në 100 euro me ia marrë hapat fëmijëve, burrit njëjtë. Veç me hip në katin e tretë dhe me u rrëzuar, me mbytë vetën, tjetër rrugë nuk kemi. Veç me mbet duke dalë në televizor me iu thënë ndihmona pash Zotin. Nuk mundem. Kush më ndihmon faleminderit edhe kush nuk më ndihmon faleminderit.
Duan dhomën e vetë për me ngrënë, me mësua, nuk e kanë, këtu hamë, këtu pimë, këtu flemë, këtu ushtrohen, të gjitha këtu… Shokët po e përqeshin, më shumë vjen duke qarë, nuk shkon hiç, herë shkon e herë jo. Ti nuk ke kështu, e ashtu, veç me humb edhe fëmijën tim dhe u kry. Qe dy herë shpëton pa u gjuajt në liqenin e Orllanit”, tha ajo.
Duke qenë se ushqimin e sigurojnë disi, Valbona tregon se brenga kryesore është shtëpia. Në mënyrë që të bëhen më kulm mbi kokë, Valbona tregoi se disa njerëz bujar u kishin premtuar se do u ndërtonin shtëpinë, por që tokën duhet ta gjejnë vetë.
Për këtë tokë në të cilën do të ndërtohej shtëpia për familjen Kadriu duhet vetëm 2 mijë euro. Por, fatkeqësisht kjo shumë është e paarritshme për këtë familje.
Ndihmë për një truall siç thotë ajo është kërkuar edhe nga Komuna e Prishtinës, por e gjithë kjo pa ndonjë rezultat.
Valbona drejton lutje për të gjithë njerëzit që kanë mundësi që ta ndihmojnë në mënyrë që të sigurohet trualli për ndërtimin e shtëpisë, e që fëmijët e saj të kenë një jetë si moshatarët e tyre.