Të rinjtë e Kosovës masin inteligjencën

260 nxënës të klasave të 9-ta nga 25 qytete të Kosovës, do të masin sot inteligjencën e tyre në një garë që është organizuar në gjimnazin “Hasan Nahi” në Prishtinë.

Lajme

29/03/2015 12:19

Gara e inteligjencës ‘Eureka’, e cila sot ka mbajtur etapën e fundit, do të nxjerrë si më inteligjentë 15 nxënës dhe do t’i shpërblejë ata.

Ky organizim, i cili po bëhet për herë të dytë, ka nxjerrë konkluzione se fëmijët e Kosovës kanë kapacitet shumë të madh dhe të lartë. Kjo është matur përmes disa analizave dhe studimeve që janë bërë me pjesëmarrësit në këtë garë, e që në numër kanë qenë 2,000.

Gara është organizuar nga Fondacioni Atmosfera-Gjimnazi “Hasan Nahi” dhe është miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Por këta të rinj inteligjentë drejtori i gjimnazit “Hasan Nahi”, Gazmend Aga thotë se nuk kanë arritur ta përdorin potencialin e tyre ashtu siç duhet.

Aga tha për KosovaPress se për të arritur vlerën reale të arsimit, nxënëseve iu duhet të punojnë më shumë. Por, sa i përket finalistëve ai tha se janë në një nivel të kënaqshëm.

“Sot është një emocion i veçantë, bëhet fjalë për etapën finale të garës “Eureka 2”, e cila organizohet për të dytën herë radhazi nga gjimnazi “Hasan Nahi”, mendojmë që është sjellë një sinergji dhe tërheqje e vëmendjes për të gjithë nxënësit e klasave të nënta nga e gjithë Kosova. Janë 40 pyetje të përgatitura nga një staf cilësor me përvojë ndërkombëtare dhe kemi shpresa dhe synimi ynë është që të rikthejmë vëmendjen tek nxënësit për arsimin dhe kulturën”, tha pos tjerash Aga.

Njëri nga pjesëmarrësit në këtë garë, Art Hoxha, nga Gjakova, pret që të dalë fitues në këtë garë.

“Falënderoj gjimnazin Hasan Nahi për mundësinë që na ka dhënë për këtë test të inteligjencës. Testi aq sa është i vështirë, aq është edhe i kënaqshëm dhe i bukur, mua nuk po më duket edhe aq i vështirë. Nuk e kam pasur vështirë, kam pasur rezultate të mira në fazën e parë, ku rezultova me vendin e 23 në Kosovë”, tha Hoxha.

Edhe Donika Salihu, nxënëse e klasës së nëntë nga një shkollë e Ferizajt, falënderon për mundësinë që u është dhënë për të sfiduar inteligjencën e tyre, edhe pse pyetjet i duken mjaft të thjeshta.

“Kam ardhur këtu sepse e kam kaluar etapën e parë dhe tash jam finaliste…kemi qenë 2,000 veta në etapën e parë dhe 260 jemi finalistë dhe unë jam njëra prej tyre. Pyetjet qenkan shumë interesante, shumë të thjeshta”, tha Salihu.

Fituesit e garës së sotme do të marrin rezultatet në një ceremoni që do të mbahet në orën 16:00. Gara do të nxjerrë 15 fitues. Çmimi i parë do të fitojë një lap top dhe do të vazhdohet me çmimet e tjera, ku do të ketë edhe shuma parash, transmeton KosovaPress.