Të premten vendimi për Riza Nurën

Te premten merret vendimi për rastin e Riza Nurës, i cili akuzohet se ka kryer dy vepra, sulm ndaj personit zyrtar dhe pengim në kryerjen e detyrës, ditën kur në Kosovë kishte qëndruar kryeministri serb, Ivica Daçiq.

Lajme

08/04/2014 18:11

Në fjalën përfundimtare, prokurori i rasti ka kërkuar dënimin e Nurës, kurse avokati i tij ka thënë se pret lirimin e klientit.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar dëgjimi i fjalës përfundimtare në rastin e Riza Nurës, kurse vendimi do të merret të premten.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka kërkuar dënimin e Nurës, ndërsa avokati i Nurës, Ramiz Krasniqi ka thënë se pret lirimin e klientit  të tij.

“Mendoj se jashtë aktvendimit lirues unë nuk e di çfarë mund të ketë. Jam shumë i bindur se akuza e prokurorit në asnjë seancë në asnjë rast nuk është vërtetuar”.

“Mjaftojnë ato që kanë thënë ekspertët, sidomos eksperti i mjekësisë ligjore. Unë kujtoj që komplet mendimi i ekspertit Arsim Gërxhaliu është përputhur me mbrojtjen e të akuzuarit”.

“Prandaj unë të vetmin vendim të drejtë e të ligjshëm e pres lirimin e Riza Nurës”, ka thënë Krasniqi.

Riza Nura, cili ka shtetësi të Australisë, akuzohet se ka kryer dy vepra, sulm ndaj personit zyrtar dhe pengim në kryerjen e detyrës, në ditën kur në Kosovë kishte qëndruar kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq.