“Të paktën një lule të mund t’ia lë te varri”, rrëfime nga Krusha
Ndonëse nuk ka shpresë se është gjallë, Arben Nalli nga Krusha e Madhe, pret që një ditë t’i kumtohet lajmi për fatin e babait të vet të zhdukur. Ai po pret që 26 vjet. Më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit, nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi…

Lajme
Ndonëse nuk ka shpresë se është gjallë, Arben Nalli nga Krusha e Madhe, pret që një ditë t’i kumtohet lajmi për fatin e babait të vet të zhdukur. Ai po pret që 26 vjet.
Më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit, nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Krusha u shndërrua në një vatër të dhimbjes dhe tragjedisë. Shqiptarët e pafajshëm, burra dhe fëmijë u vranë dhe masakruan nga forcat policore serbe.
Nga kjo masakër mbeten të zhdukur edhe 60 persona, në mesin e tyre edhe Gani Nalli.
Derisa eshtrat e tre vëllezërve të Gani Nallit prehen në varrezat e Krushës së Madhe.
Arben Nalli 44 vjeçar, rrëfen për KosovaPress e babain e tij e pa për herë të fundit pikërisht kur ai ishte në këtë moshë.
“Kjo datë do të mbetet histori tërë jetën, derisa të jem gjallë. Kur kanë hyrë forcat serbe në fshat, deri në orën 3 e gjysmë kemi qenë në shtëpi. Në orën 3 e gjysmë prindi na ka thënë, kemi qenë 6 meshkuj të moshës më të re, na ka thënë që të largohemi në mal, të dalim nga shtëpia. Nga ai moment nuk e kemi parë, është i zhdukur babai. Ndërsa, tre vëllezërit e babait i kemi të varrosur, axhallarët. Jemi dy shtëpi gjaku, i kemi të vrarë 13. Babin e kujtoj sikur sot, ka qenë mosha ime, tash unë jam 44 vjeç. E kujtoj si njeri të urtë, njeri i dijes dhe ka qenë humanist shumë i madh në fshat. Kujtimet i kam shumë të freskëta sikur para 26 viteve. Shpresat nuk vdesin kurrë, por nuk besoj që do të gjendet, nuk po punon qeveria për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, sidomos të Krushës, 64 që janë të humbur”, thotë ai.
Nalli emocionohet derisa shpreh nën lot dëshirën që babai i tij të paktën të shihte nipat e tij.
Ai tregon se djali i tij që mban emrin e Gani Nallit, e pyet atë shpesh rreth kësaj masakre.
“Nuk kam fjalë [që do t’i kisha thënë babait] veç t’i shihte nipat e tij. Sot e trashëgon emrin e tij djali im. Djali krenar është por shpesh pyet, çdo përvjetor, si i morën, ku mbetën, pse nuk po gjenden, më bënë pyetje, këto ditë më shumë. Djalit kurrë nuk i kam treguar se është i vrarë. Ende mendon se një ditë do të kthehet gjyshi. I kam thënë që ka shkuar me shokë. Unë nuk mendoj se është i gjallë, por të paktën eshtrat, një lule t’ia vendos sikur tre vëllezërve të babait. Babai ka qenë vëllai më i madh prej axhallarëve, sepse 6 kanë qenë, 4 vëllezërit e mëdhenj janë të vrarë dhe dy kanë shpëtuar”, thotë Nalli.
Edhe Fiqirie Zylfiu nga Krusha e Vogël tregon se djali i saj mbeti pa baba që kur ishte nëntë javësh, pas masakrës në fshatin Krushë të Vogël, 26 vjet më parë.
Ajo tregon se në masakrën e marsit të vitit 1999, iu vranë bashkëshorti dhe babai e vëllai i tij.
Në përvjetorin e 26 të kësaj masakre, ajo thotë se çdo ditë po bëhet më e mërzitshme e më e vështirë për të.
“Burrin, vjehrrin dhe kunatin [i kanë të vrarë në masakrën e Krushës së Vogël]. Dita secilën herë po doket më e mërzitshme, secilën herë. Djalin e kam pas te vogël. Tash është rritur dhe martuar. Veç ditë e vështirë është shumë për neve. I gjetur është burri dhe vjehrri, kunatin ende se kemi gjetur. Nuk po mundem të flasë. Një djalë e kam, nëntë javësh e kam pasur [kur ma kanë vrarë burrin]. Tani është rritur djali. Për mua vështirë ka qenë. Këta që kanë shkuar të rinj. Më shumë nuk mund të flas”, thotë Zylfiu.
Fatin e babait të Arben Nallit dhe familjarëve të Fiqirie Zylfiut e kanë pasur edhe dhjetëra burra të Krushës, kur nga datat 25, 26, dhe 27 mars i vitit 1999, forcat serbe kryen krim gjenocidal në këtë vend.
Krusha sot ka pritur njerëz nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët kanë nderuar dëshmorët dhe martirët e rënë 26 vjet më parë.