Të lënduarit nga minat, para skamjes
Drejtues të Shoqatës së të Plagosurve Civilë nga Minat i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës me kërkesë që të rriten pensionet për invalidët civilë gjatë luftës. Kjo Shoqatë alarmon se invalidët civilë janë në gjendje shumë të rëndë dhe ndaj kësaj kategorie po bëhet diskriminim.
Lajme
Ishin fëmijë kur ranë në mina, të cilat ishin vendosur gjatë periudhës 1998-99 nga ushtria serbe. Tash, secili nga ta numëron mbi 25 vjet, dhe secili ka të humbur një gjymtyrë të trupit. Invalidët civilë në Kosovë nuk marrin më shumë se 136 euro pension invalidor. Ata madje nuk preferojnë ta quajnë as pension, pasi, sipas tyre, kjo shumë përngjan me një ndihmë sociale.
Një protezë për të zëvendësuar këmbën e humbur kushton 5-7 mijë euro. Kurse, një pjesë e kësaj kategorie janë kryefamiljarë, e në shumën që marrin prej 130 eurove hyjnë: proteza, barnat, ushqimi, shkollimi i fëmijëve, pagesat komunale…
Avni Lubovci, drejtues i Shoqatës së të Plagosurve Civilë nga Minat (SHPCM), i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me kërkesë që të rriten pensionet për invalidët civilë gjatë luftës. Lubovci ka thënë se invalidët civilë janë në gjendje shumë të rëndë dhe ndaj kësaj kategorie po bëhet diskriminim./zëri