Të enjten protestë para Kuvendit të Kosovës, kjo është arsyeja

Lëvizja Revolta bëri të ditur se më 6 gusht do të mbajë një protestë qytetare në Prishtinë, e cila do të zhvillohet para objektit të Kuvendit të Kosovës, në sheshin “Ibrahim Rugova”. Tubimi, sipas organizatorëve, do të nisë në orën 10:00 dhe ka për qëllim ngritjen e shqetësimeve lidhur me, siç është thënë nga kjo…

Lajme

04/08/2026 17:24

Lëvizja Revolta bëri të ditur se më 6 gusht do të mbajë një protestë qytetare në Prishtinë, e cila do të zhvillohet para objektit të Kuvendit të Kosovës, në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Tubimi, sipas organizatorëve, do të nisë në orën 10:00 dhe ka për qëllim ngritjen e shqetësimeve lidhur me, siç është thënë nga kjo lëvizje, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Revolta ka bërë publike tri kërkesa kryesore që do t’i adresojë përmes kësaj proteste. Ato përfshijnë publikimin e të dhënave për numrin e aplikimeve dhe shtetësive të marra nga shtetas të Serbisë në bazë të Ligjit për Shtetësinë, anulimin e Ligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, si dhe shfuqizimin e nenit 155 të Kushtetutës.

“Kjo nuk është çështje partiake. Është çështje e sovranitetit, shtetësisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës. Bashkohu”, thuhet në thirrjen e kësaj lëvizje.

Nga Revolta kanë theksuar se iniciativa nuk lidhet me përkatësi politike, por me çështje që, sipas tyre, kanë të bëjnë me funksionimin dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.