Të dyshuarit u kapën në flagrancë, flasin nga Prokuroria dhe Policia për aksionin të Njësisë Antidrogë në Suharekë, çka u sekuestrua?
Tre persona janë arrestuar në flagrancë për shitje të narkotikëve gjatë një operacioni të Njësisë Antidrogë në Suharekë. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili bëri të ditur se gjatë aksionit janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme, si dhe dy…
Lajme
Tre persona janë arrestuar në flagrancë për shitje të narkotikëve gjatë një operacioni të Njësisë Antidrogë në Suharekë.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili bëri të ditur se gjatë aksionit janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme, si dhe dy vetura që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
“Po, janë arrestuar tre persona, të kapur në flagrancë me aplikimin e masave të veçanta hetimore, për shitje të narkotikëve. Janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme dhe dy vetura si mjete të kryerjes së veprës penale”, ka deklaruar Kryeziu për lajmi.net.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se operacioni i realizuar sot është vazhdimësi e hetimeve për një rast të mëhershëm.
“Ju konfirmoj se si vazhdimësi e hetimeve të një rasti të mëhershëm, sot me datë 29.01.2026, Njësia e Antidrogës në Prizren, me mbështetje edhe të njësive tjera policore, ka realizuar një operacion antidrogë në funksion të zbatimit të urdhër-kontrollit nga GJTH në Prizren, ku janë kontrolluar katër lokacione të ndryshme”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.
Sipas tij, gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmi relevante, përfshirë substanca narkotike, para të gatshme, pajisje të ndryshme, automjete, telefona mobilë dhe një pistoletë.
“Pesë persona janë arrestuar nga policia. Dy prej tyre janë dërguar në procedurë të rregullt, ndërsa tre të tjerë janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga Njësia e Antidrogës në Prizren”, ka shtuar ai.
Hoxha theksoi se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e trafikimit të substancave narkotike në gjithë territorin e vendit.
“Do të aplikohet tolerancë zero ndaj grupeve dhe individëve të përfshirë në veprimtari kriminale, duke vepruar me vendosmëri dhe në përputhje me ligjin, për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, ka përfunduar Hoxha./lajmi.net/