Të angazhuar katër prokuror të shtetit – aksioni i përbashkët i Prokurorisë dhe Policisë për manipulim me vota, në pranga 109 persona

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të rinumërimit të rezultateve të votimit në QNR, respektivisht në QKN në…

Lajme

23/01/2026 16:38

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të rinumërimit të rezultateve të votimit në QNR, respektivisht në QKN në Prizren.

Hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave publike dhe kanë të bëjnë me dyshime për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ndërlidhen me cenimin e të drejtave të votimit, raporton lajmi.net

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit lidhur me dyshimet për veprat penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, si dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i KPRK-së, janë ndaluar për 48 orë gjithsej 109 persona.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Në kuadër të këtij aksioni, janë angazhuar katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth 200 zyrtarë policorë.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./Lajmi.net/