“Tash jemi kthyer e shihni kush dominon këtu” – Mentor Ismaili zbulon se si ish-paramilitari serb e provokoi ish-ushtarin e UÇK-së, Bekim Meta, në incidentin që ndodhi për prona në Magure

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, Mentor Ismaili, ka reaguar ashpër pas përleshjes masive që ka ndodhur në fshatin Magurë të Lipjanit, ku disa persona kanë mbetur të lënduar dhe disa të tjerë janë ndaluar nga Policia e Kosovës. Duke iu referuar këtij rasti, Ismaili ka deklaruar se “ligji…

Lajme

26/06/2026 11:09

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, Mentor Ismaili, ka reaguar ashpër pas përleshjes masive që ka ndodhur në fshatin Magurë të Lipjanit, ku disa persona kanë mbetur të lënduar dhe disa të tjerë janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

Duke iu referuar këtij rasti, Ismaili ka deklaruar se “ligji që po na kthen ne luftë”, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe të rrezikshme për sigurinë në vend, transmeton lajmi.net.

Ai ka shkruar se në këtë rast është përfshirë një person i identifikuar si ish-pjesëtar i formacioneve paramilitare serbe, i cili sipas tij i është drejtuar një ish-ushtari të UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së, Bekim Meta, me fjalët: “Boll e keni hangër Kosovën për 26 vite, tash jemi kthyer e shihni kush dominon këtu”.

Ismaili e ka cilësuar këtë situatë si “thellësisht shqetësuese e tmerruese”, duke theksuar se “asnjë luftëtar i lirisë nuk duhet të përballet me provokime të tilla në shtetin për të cilin ka sakrifikuar”.

Në reagimin e tij, ai ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa urgjente për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke shtuar se ato “kanë për detyrë të garantojnë siguri, dinjitet dhe drejtësi”, dhe duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe organeve përgjegjëse për reagim të menjëhershëm.

Sipas tij, Kosova nuk guxon të lejojë një klimë ku “viktima hesht, ndërsa provokatori ndihet i paprekshëm”.

Postimi i plotë: 

Ligji që po na kthen ne luftë!
Politikat e fëlliqur Albin Kurtit, ka krijuar një realitet ku sot në Kosovë janë rikthyer individë me të kaluar në formacione serbe, gjë që po shkakton tensione të papranueshme. Rasti në Magurë, ku një person i identifikuar si ish-pjesëtar i forcave paramilitare serbe (mendohet se ishin pjesëmarrjës ne masakrat Ribar, Hallaq) i drejtohet ish-ushtarit të UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së, Bekim Meta, me fjalët: “Boll e keni hangër Kosovën për 26 vite, tash jemi kthyer e shihni kush dominon ketu”, është thellësisht shqetësues e tmerrues.
Asnjë luftëtar i lirisë nuk duhet të përballet me provokime të tilla në shtetin për të cilin sakrifikoi. Institucionet kanë për detyrë të garantojnë siguri, dinjitet dhe drejtësi, jo të lejojnë krijimin e një klime ku glorifikohen ose tolerohen individë që lidhen me strukturat që ushtruan dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës.
I bëj thirrje Kryeministrit Albin Kurti dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit, në mënyrë që askush të mos ndihet i kërcënuar apo i provokuar në vendin e vet. Kosova nuk guxon të kthehet në një vend ku viktima hesht, ndërsa provokatori ndihet i paprekshëm./lajmi.net/