Tara thotë se dokumentin se kishte nënshkruar: Fillova të qaj, të bërtas e të shaj kur kam parë se si më kanë përshkruar
Ismet Tara i njohur si Komandant Hoxha është paraqitur edhe sot para trupit gjykues në kuadër të Speciales në Hagë. Kjo seancë edhe sot ka filluar me disa mos-pajtime, ku Tara hapur deklaroi se nuk do të përgjigjet për Prokurorinë , por vetëm për palët mbrojtëse. E gjithë kjo pasi ai dje kërkoi që të…

Lajme
Ismet Tara i njohur si Komandant Hoxha është paraqitur edhe sot para trupit gjykues në kuadër të Speciales në Hagë.
Kjo seancë edhe sot ka filluar me disa mos-pajtime, ku Tara hapur deklaroi se nuk do të përgjigjet për Prokurorinë , por vetëm për palët mbrojtëse.
E gjithë kjo pasi ai dje kërkoi që të shfaqet një dokument ku thotë se ishte shkruar, nënshkruar e paraqitur kinse si deklarim i tij por që të njëjtin ai nuk e kishte parë kurrë deri në kohën kur prokurorja e rastit të tij e kishte pyetur nëse di ndonjë gjë për të.
Tara ndër të tjerash derisa po merrej në pyetje nga avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Rodney Dixon, Tara deklaroi se ky dokument që është zhdukur dhe s’po ia shfaqin “është dokument që është përshkruar më 2019 nga të gjithë ata hetues dhe prokurorë të mi që unë kam dhënë intervista për 32 orë”.
“Ai dokument nuk është përshkruar në prezencën time, s’më është treguar as për tu lexuar as s’kam nënshkruar dhe s’kam pasur njohuri për atë dokument. Vetëm se me datë 19 në përgatitje time me stafin e prokurores më është treguar ai dokument për herë të parë.Ai dokument përshkruan Tarën sipas përshkrimit të ish-intervistuesve të mi e prokurorëve sikurse Ismet Tara të kish thënë se Ismet Tara i di shumë krime që kanë bërë UCK-ja e kanë varë civilë e kanë bërë krime jo njerëzore, sipas atyre përshkrimeve të atyre. Janë dy fletë të cilat nuk i kam nënshkruar kurrë s’më janë paraqitur e s’i kam parë kurrë. Për herë të parë më janë zbuluar nga prokurorja që e ka zhdukur këtë dokument. Aty janë edhe dy ndihmësit e saj që kanë qenë prezent, ka qenë prezent edhe përkthyesja shqiptare dhe të katërit janë të informuar për atë dokument dhe ai dokument sot nuk është “deklaroi Tara, transmeton lajmi.net.
Avokati Rodney Dixon: Ky dokumenti është përgatitur nga prokuroria që e keni parë për herë të parë në seancë përgatitore? Këtë po thoni?
“Zoti mbrojtës jo, ai dokument është përgatitur më është thënë se është nga prokurorja e stafit tim intervistues në vitin 2019 por atë s’e kam parë kurrë as s’e kanë shkruar para meje as s’më është dhënë për t’u parë. As s’është i nënshkruar nga unë, është përshkrim gjeneral qysh ata e kanë cilësuar intervistimin tim, por janë shënime të tyre si i kanë përshkruar e me atë ma kanë komplikuar jetën time të familjes sime”, shtoi Tara.
Avokati Rodney Dixon: Ju po flisni për një shënim të brendshëm, na sqaroni pak më tepër?
“Më është thënë nga prokurorja ime se ky është përshkrim i intervistimit tim nga 2019 dhe është dokument që t’i se kë nënshkruar dhe më ka pyetur për këtë dokument e unë kur e kam filluar të lexojë këtë dokument kam filluar të qaj, të bërtas e të shaj kur kam parë se si më kanë përshkruar. Jam trishtuar dhe kam humbur veten e më ka hyr frika se ende jam i rrezikuar në lidhje me atë dokument në qoftë se nuk bëhet i hapur e të bëhet i njohu se ai është përshkrim i egër i dëshirave të tyre. Dhe menjëherë pas leximit të përkthyeses sime…”./Lajmi.net/