TAP investon miliona euro në infrastrukturën shqiptare
Veç ndërtimit të linjës së gazit, kompania TAP do të financojë edhe në rikonstruktimin apo ndërtimin e rrugëve të reja në zonën ku do të kalojë gazsjellësi.
Lajme
Përmes një njoftimi zyrtar, kompania ka bërë të ditur se do të investojë një fond nga 40 deri në 70 milionë euro për infrastrukturën mbështetëse për zbatimin e projektit në Shqipëri.
Sipas njoftimit, investimet do të prekin tre qarqe të vendit: Korçën, Beratin dhe Fierin.
Në këto zona kompania ka planifikuar të ndërtojë ose rehabilitojë mbi 80 kilometra rrugë, përfshirë edhe akset kombëtare, të cilat do të bëjnë të mundur transportimin e makinerive të rënda që do të përdoren për ndërtimin e gazsjellësit.
Investimet parashikojnë edhe ndërhyrjet në një sërë veprash arti, kryesisht në ura, me qëllim që të përballojnë tonazhin e makinerive ndërtuese.
Kompania ka vënë si afat përfundimtar për dorëzimin e ofertave datën 16 maj.
Sipas paralajmërimeve më të reja, ndërtimi i seksionit të gazsjellësit nëpër Shqipëri do të fillojë në vitin e ardhshëm.