Tanja Fajon: Të përshpejtohet zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor

Qeveria sllovene ka paraqitur propozim për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në kuadër të statusit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, konfirmoi ministrja e re e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Lajme

20/06/2022 17:59

Fajon deklaroi se ”Sllovenia mbështet statusin kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, por se Ballkani Perëndimor nuk duhet të harrohet në këtë proces, në mënyrë që politika e zgjerimit të BE-së të mbetet e besueshme”.

Dokumenti i dorëzuar nga Lubjana tek 26 vendet e tjera anëtare kërkon fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe statusin e kandidatit për Bosnjë e Hercegovinën.

Fajon paralajmëroi se procesi i zgjerimit po vihej në pikëpyetje dhe se ai mbështet të gjitha përpjekjet për MV-në, Shqipërinë, Kosovën dhe BH-në.

Mbështetje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritet të japin sot disa ministra të Punëve të Jashtme të BE-së, përfshirë Austrinë, Gjermaninë dhe disa vende të Evropës Lindore.

Sa i përket statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën, situata është më e ndieshme.

Komisioneri i zgjerimit të BE-së, Oliver Varhei, deklaroi javën e kaluar se ”BH-ja duhej të përmbushte 14 përparësitë e rënë dakord me BE dhe se dhënia e statusit të kandidatit pa të do të ishte e barabartë me një zbritje”.

Kosova, nga ana e saj, nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE-së, duke i bërë më të vështira negociatat për liberalizimin e vizave.

Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës ende duhet të udhëtojnë me viza në BE dhe Schengen.