Takimi në Berlin, përgatitja e terrenit dhe mundësia e ndryshimit të formatit të dialogut

Mediat serbe parashikojnë se çfarë mund të sjell takimi në Berlin mes krerëve të politikës kosovare dhe serbe.

Lajme

22/04/2019 10:03

Në Berlin më 29 prill do të takohen zyrtarë të lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë, ku më së paku pritet krijimi i rrethanave për vazhdimin e dialogut, e më së tepërmi një datë për vazhdimin e tij, shkruan portali serb “Blic”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë ftuar takimin në të cilin Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq.

Të ftuar janë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj derisa është paralajmëruar se një nga temat do të jetë edhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, transmeton lajmi.net. Shpjegimi zyrtar i takimit është “shkëmbimi jo formal i ideve”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së basku me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, përfaqësuesi i Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe kryeministri slloven, Marjan Sharec, po ashtu janë në mesin e të ftuarve.

Përgatitja e terrenit

Thirrja për takim në Berlin ka ardhur si befasi, por periudha kohore nuk është e tillë marrë parasysh se ndodh një muaj para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Por, çfarë pritet nga takimi? Heqja e taksës dhe vazhdimi i dialogut?

Caktimi i ultimatumëve që me çdo kusht të arrihet një zgjidhje mes Beogradit dhe Prishtinës? Ndryshimi i formatit të dialogut?

Zyrtarë të huajë dhe serbë kanë dhënë parashikime të kundërta. Nga Serbia vijnë porosi të kujdesshme, kryeministrja Ana Bërnabiq ka thënë se “nuk kam pritje të mëdha nga takimi në Berlin”, kurse një deklaratë të ngjashme për “Blic” ka thënë edhe presidenti serb, Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Takimi i Berlinit nuk do të jetë i vetmi?

Në këtë moment nuk ka njoftime nëse pas takimit në Berlin mund të ndodhë ndryshimi i formatit të dialogut. Përmendet se në skenë mund të shfaqet SHBA-ja, por edhe Rusia.

Zyrtarë serbë disa herë kanë insistuar që në “lojë” të hyjë edhe Moska nëse SHBA-të marrin rol kryesor.

Nëse shikojmë nga e kaluara, nuk do të jetë e vështirë të nxirret një përfundim se na presin edhe takime të tjera të ngjashme. /Lajmi.net/