Takimi mes liderëve të partive politike zgjati më shumë se dy orë por nuk solli ndryshime – Krejt çka ndodhi në takimin e sotëm

Sot, liderët e partive politike në Kosovë dhe përfaqësues të tyre në një tryez të rrumbullakët janë mbledhur për të gjetur një zgjidhje në lidhje me ngërçin e shkaktuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky takim ka ardhur me ftesën e kreut të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit pas aktvendimit…

Lajme

28/06/2025 21:29

Sot, liderët e partive politike në Kosovë dhe përfaqësues të tyre në një tryez të rrumbullakët janë mbledhur për të gjetur një zgjidhje në lidhje me ngërçin e shkaktuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky takim ka ardhur me ftesën e kreut të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese të enjten përmes këtij aktvendimi iu ka dhënë kohë deputetëve që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin, ndërkaq kjo sipas rezultatit të këtij takimi duket të jetë e vështirë për të ndodhur

Ky takim sot ka zgjatur më shumë se dy orë, ndërkaq nuk duket të ketë sjellur ndonjë rezultat, e kjo është nënkuptuar nga deklaratat e dhëna të liderëve politik pas këtij takimi.

Pas këtij takimi, i pari i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti ka thënë se i ka ofrzar dy kompromise partive të tjera.

Ai ka thënë se formimi i Kuvendit të Kosovës është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të zgjedhur të 9 shkurtit dhe sipas tij kjo është e paraparë me nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të saj ka theksuar që nuk zgjedh mosmarrëveshjet politike mes rgupeve parlamentare, dhe pikërisht për këtë ne u mblodhëm që ta zgjidhim. Gjithashtu, ka përmendur tre togfjalësha interesant, besim, konsultim konstruktiv dhe kompromis, me fjalë të tjera provojeni njëherë koncensusin nëse nuk keni koncensus bëjeni kompromisin dhe kjo do të bëhet me mirëbesim dhe konsultim kompromis. Ne e bëmë edhe konsultimin konstruktiv, edhe bashkëpunimin mirëbesim por u pa që koncensus nuk ka ndërsa sa i përket kompronisit ne kemi lëvizur. Unë si kryetar i VV-së, subjektit më të madh, kamofruar dy opsione kompromisi në emër të LVV-së“, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar dy kompromiset që i ka ofruar.

“Kompromisi ynë i parë është që në rast të votimit të fshehtë nëse nuk i merr 61 vota Albulena Haxhiu, ajo tërhiqet unë e respektoj si vendim personal. Me votim të fshehtë AlbulenaHaxhiu do të votohet vetëm njëherë. Ne kemi lëvizur me qëndrimin e para të enjtes. Kompromisi i dytë që e shpreha sot ishte ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 e që është marrëveshje politike në lidhje me kryetarin dhe nënkryetarët e nëse kurqysh nuk e dojnë votimin e fshehtë, le ti dërgojnë të deleguarit e tyre për votim të fshehtë që mund ta rrëzojnë me votë sepse procesi ka mbetur në gjysmë, ka shtuar Kurti.

Këto kompromise sipas krerëve të partive opozitare nuk do të sjellin zgjidhje për gjendjen e shkaktuar në Kuvend.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku menjëherë pas takimit ka thënë se LDK frikësoheshin se i gjithë ky takim ishte një farsë publike se sa substanciale dhe sipas tij kjo ndodhi.

“Droja jonë u vërtetua në këtë takim sepse meqenëse gjatë këtij takimi propozimet e deputetit Kurti, thirrësit të këtij takimi ishin pak a shumë të njëjta që ishin deri më tani, dhe as nuk e interpretonin njëjtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe për votimin e fshehtë edhe për çështjen e përgjegjësisë që i takon atij. Më lejoni që të theksoj se për LDK-në është evidente që përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit me paragrafin 130  të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon edhe e drejta por edhe përgjegjësia për të bërë shumicë. Kurti e pranoi që nuk ka shumicë por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që i ka pas deri më tani. Ato kushtëzime janë që të votohet fshehtë ose të rrëzohet votimi i fshehtë por duke u votuar haxhiu sërish e më pas një ndërlidhje e përçudnuar e votimit për kryetaren e Kuvendit me nënkryetarët e Kuvendit që na ka sjell në këtë krizë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se moslëvizja e Kurtit ngakëto qëndrime e bënë fatkeqe gjendjen politike në vend e sidomos tani kur ka një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, shkruan lajmi.net.

“LDK ka bërë përpjekje që të arrihet koncensusi, e para që të na jepet e drejta e votimit për, kundër, apo abstenim për kandidatët të cilët propozohen. Në emër të LDK-së me plot bindje do të votonim kundër me 20v vota për kandidatin që ata propozojnë. Votimi i fshehtë është antikushtetues prandaj nuk mund të marrim pjesë në shkelje të saj. Bëjmë thirrje të na jepet e drejta të votojmë, ne dëshirojmë të votojmë”, ka shtuar Abdixhiku

Ai gjithashtu ka thënë se nëse s’do të ketë lëvizje nga qëndrimet të kreut të LVV-së, Albin Kurti, lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, atëherë vendi do të futet në një terren të paqartë për Republikën e Kosovës.

“Pas 30 ditëve futemi në një gjendje të paqartë. Pas 30 ditëve me gjasë do të duhet të kërkohet një interpretim i ri i Kushtetueses”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se në këtë fazë, LDK shpreson që do të ndërhyjë presidentja e Republikës së Kosovës për të ushtuar kompetencat e saj për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.

Kreu i LDK-së ka kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në lidhje me takimin është deklaruar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i cili ka thënë se edhe ky takim ka përfunduar pa një kompromis mes tyre, pasi sipas tij qëndrimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit nuk kanë ndryshuar.

“Sikur takimi të ishte për të përmbushur një detyrim formal e jo për të gjetur zgjidhje reale. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, situata ka ndryshuar, por Kurti jo. Qëndrimet e tij mbetën të njëjta,” u shpreh Krasniqi.

Ai ka thënë se ky takim është ftuar nga Kurti vetëm për të përmbushur një obligim.

“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi, dhe përgjegjësinë e detyrimit për të gjetur konsensus rezultojë i pasuksesshmen. Situatat nuk është e njëjtë pas aktgjykimit Kurti është i njëjtë dhe qëndrimet e tij mbetën të njëjta. Mentaliteti imponues dhe kryeneçësia politike vazhdon të jetë për të më prioritete sesa gjetja e zgjidhjet dhe përfundimi i bllokadës.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se është shqetësues intërpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kurti,

“Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat”, ka thënë Krasniqi.

Përfaqësuesja e AAK-së, Time Kadrijaj gjithashtu ka fajësuar Kurtin se nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për ti dhënë një zgjidhje Kuvendit.

Ajo ka thënë se ata kanë kërkuar një koncensus dhe ndonëse kanë ofruar oferta, partia në pushtet nuk e ka pranuar asnjë nga partitë opozitare.

“Është e quditshme se aty ku iu konvenon dhe iu ka konvenuar LVV-së, me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 që i jepet e drejta për kandidim të kandidatit të partisë që ka më së shumti deputet, po iu konvenon dhe po e shfrytësojnë të drejtën e tyre për këtë kandidat. Me këtë intërpretimin tjetër janë mundu me shtrembëru plot pika të këtij aktgjykimi dhe mos me pranu asgjë. Edhe periudhën kohore prej 1 muaj që duhet të konstituohet Kuvendi Kosovës, edhe këtë votimin e fshehtë, ajo që kam insistuar partia jonë ka qenë ajo që e ka dërguar lëndën në Gjykatë Kushtetuese, edhe ajo ka pas material sepse nëse nuk kishin nuk do e kishin pranuar fare si lëndë.“, ka thënë Kadrijaj.

Ajo ka thënë se ata kanë kërkuar që nesër të mos vazhdohet me procedurat e njëjta në seancën konstituive të Kuvendit.

“Ne kemi kërkuar që nesër të mos vazhdojmë me procedurat e njëjta, sepse nëse nesër vazhdohet me procedurat e njëjta, ata po e shkelin Kushtetutën. Ne kemi kërkuar që të mos vazhdohet me votimin e komisionit sepse nuk ka komision dhe të kthehet në votim të hapur dhe pastja është e drejta e tyre të propozojnë dhe të sigurojnë shumicën“, ka shtuar Kadrija.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas takimit me liderët politikë, deklaroi se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë vetëm përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por kërkon një marrëveshje të qartë politike.

“Ky takim erdhi pas tre muajsh. Diskutimi u përqendrua më shumë në interpretimin e aktgjykimit dhe më pak në krizën politike dhe zgjidhjen e saj,” tha Limaj.

Ai shtoi se takimi ishte një hap i mirë, por kërkoi vijimin e tryezave të tilla dhe theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike që, sipas tij, është e vetmja rrugë për të dalë nga bllokada institucionale.

“U takuam pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kam shprehur qëndrimin tim, dëshirën edhe para jush dhe me partitë. Një tryezë politike është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje. Pas tre muajsh erdhëm te ky takim. Ky takim ka shkuar rreth qasjes se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pak është folur për atë që është tema kryesore: krizat politike dhe zgjidhjet me marrëveshje politike. Ata që kanë pritur që aktgjykimi do ta zgjidhë krizën, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatës. Takimi si takim është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin takime të tjera. Unë u mundova të jap kontributin tim. I ftova të gjithë që të fokusohemi në marrëveshje politike që menjëherë zgjidh krizën,” shtoi Limaj.

Përfaqësuesi i Listës Guxo, Faton Peci është deklaruar pas takimit që kanë mbajtur krerët e partive politike për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend.

Ky takim ka ardhur me ftesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se intërpretimi i këtij aktgjykimi nuk duhet të jetë ’fontanë dëshirash’.

“Gjatë diskutimeve u paraqitën dy propozime për rrugëzgjidhje pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të bëhemi pjesë e ‘fontanës së dëshirave’ në interpretimin e aktgjykimit,” theksoi Peci.

Ai gjithashtu ka thënë se ka propozuar që të ketë marrëveshje politike për zgjidhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit.

“Fryma që synoj gjatë diskutimit, kishin disa që e quan farsë, këto epitete i thanë ende pa futur në diskutime. Ka pasur dy propozime për rrugëzgjidhje pas vendimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet me qenë pjesa e fontanës së dëshirave se si interpretohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, për shkak se janë disa terma ku anëtarët e gjykatës duhet ta kenë parasysh afatin 30-ditësh. Edhe unë kam pasur një propozim, është të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, të ketë pako të marrëveshjes”, ka shtuar Peci.

Në lidhje me këtë takim pa rezultat kanë shkruar edhe analist e njohës të politikës në vend.

Analisti politik, Avni Arifi ka thënë se ftesa e Kurti për konsultime me partitë politike ish-opozitare doli të jetë mashtrim, shkruan lajmi.net.

“Ai i ftoi që t’i mashtrojë të gjithë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se po kërkon konsensus. E vërteta e hidhur është se Kosova ka një parti që është ende në detyrë, e cila e shkel qëllimisht Kushtetutën e Republikës dhe e injoron po ashtu qëllimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese“, ka shkruar Arifi, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se ky nuk është shtet i sundimit të ligjisit e as i vullnetit për ta bërë Kosovën shtet të sundimit të ligjit

“Shkelja e qëllimshme e Kushtetutës dhe këmbëngulja për ta vazhduar këtë shkelje përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë substancës së shtetit të Kosovës“, ka shtuar Arifi.

Edhe Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se sot është parë që nuk mund të ketë zgjidhje brenda 30 ditësh.

Ai ka thënë se ky duket se i ka djegur shansin e Gjykatës Kushtetuese se politika të kthehet në binarë kushtetues brenda 30 ditësh.

Cakolli ka shkruar se kjo po ndodh për shkak të mungesës së vullnetit për kompromis politik dhe për shkak të uinsistimit në taktika bllokimi kundërkushtetuese.

“Afati 30-ditor është një vijë ndarëse kushtetuese. Diskutimet për “çka ndodh pas 30 ditëve” janë pjesë e devijimit – sepse pyetja e vetme që duhet të shtrohet është “çka duhet të ndodhë brenda 30 ditëve?”. Çdo diskutim tjetër është tentativë për ta relativizuar shkeljen dhe përgjegjësinë, si dhe për ta normalizuar krizën“, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Seanca e radhës konstituive e Kuvendit të kosovës do të mbahet nesër, e ndonëse u prit që Kuvendi të konstituohet bnesër pas këtij takimi, duket se përsëri kjo nuk do të ndodh.

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, dhe vonesat pastaj në formimin e Qeverisë dhe institucionet e tjera po i kushtojnë Kosovës si ekonomikisht ashtu edhe në procese të tjera. /Lajmi.net/