Takimi më Sorensen, Osmani: Kërkuam angazhim të ndërkombëtarëve që Serbia t’i ndalë arrestimet e qytetarëve të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Presidenca e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe ka theksuar rëndësinë e largimit…

Lajme

06/08/2025 12:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe ka theksuar rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian.

“Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme. Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës. /Lajmi.net/ 

Fotografi nga takimi: