Takimi me O’Brien, Kurti kërkon dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike nga Serbia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në vizitën e tij të parë në Kosovë në pozitën e Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien. Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje në lidhje me këtë takim, shkruan lajmi.net. “Ky takim u zhvillua diç më…

Lajme

21/10/2024 19:22

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në vizitën e tij të parë në Kosovë në pozitën e Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje në lidhje me këtë takim, shkruan lajmi.net.

“Ky takim u zhvillua diç më pak se një muaj nga takimi i fundit që patën në New York në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Përgjatë bashkëbisedimit në kryeministri diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes. Një javë pas Samitit të Procesit të Berlinit, u vlerësua angazhimi, marrëveshja e nënshkruar dhe deklaratat e miratuara që e bënë 10-vjetorin e Procesit të Berlinit një përvjetor të suksesshëm në avancimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar. Kryeministri Kurti në takim ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi. Ndërkaq, përkrah Ndihmës Sekretarit O’Brien ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier”, thuhet mes tjerash. /Lajmi.net/