Takimi Kurti-Hamza, Krasniqi: As që është diskutuar ndonjë koalicion i mundshëm, qëndrimi ynë është i qartë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi foli për takimin e së hënës që kryetari i LVV-së, Albin Kurti e pati me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza. Krasniqi tha se Kurti “me insistim” ka shprehur dëshirën për këtë takim, në të cilin tha se nuk është diskutuar asnjë çështje që lidhet me krizën politike apo…

Lajme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi foli për takimin e së hënës që kryetari i LVV-së, Albin Kurti e pati me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
Krasniqi tha se Kurti “me insistim” ka shprehur dëshirën për këtë takim, në të cilin tha se nuk është diskutuar asnjë çështje që lidhet me krizën politike apo “ndonjë koalicion të mundshëm”.
“E para, unë besoj që z. Hamza ka qenë shumë i qartë dhe e ka treguar fiks ashtu siç ka ndodhur. Z. Kurti, me insistim ka dëshiruar që të ketë një takim për të diskutuar për temat ndërkomunale, që realisht s’është punë e tij, por në një situatë kur ai vërtet s’merret me asnjë temë në interes të qytetarëve, është i mirë për të bërë show e propagandë”, tha ai.
“Në traditën e shqiptarit është kur të vjen edhe i huaji te dera, me ia hapë derën dhe në momentin që ai ka shku në zyrën e z. Hamza në Mitrovicë, ne s’jemi në hasmëri – normalisht që mirërpitet se z. Hamza është një nga të paktët politikanë që vërtet ka ndërtuar vetëm ura bashkëpunimi e komunikimi me të gjithë, duke pasur një kontribut të drejtpërdrejtë të depolarizimit të kësaj skene politike”, tha Krasniqi.
Ai tha se qëndrimi i qartë i PDK-së është që të mos bëjë koalicion me LVV-në.
“Kështu që, është e vërtetë, as që është pritur, e as që kemi dëshirë, e as që është diskutuar për çfarëdo çështje që lidhet me krizën nacionale, me krizën politike, e aq më pak me ndonjë koalicion të mundshëm”, tha ai.
Kurtit, Krasniqi tha se “i takon që ta zhbllokojë Kuvendin, sepse i takon që ta propozojë një kandidat që mund ta marrë shumicën e votave të deputetëve”.
Ai përsëriti se Kurti “i ka rreth 40 opsione” dhe se “mund ta zhbllokojë këtë situatë”.