Takimi konsultativ me krerët e partive politike, flasin nga Presidenca
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në takim konsultativ krerët e partive politike, në lidhje me mundësinë për të caktuar një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina. “Takimi është ftuar për nesër në orën 12:00”, ka…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në takim konsultativ krerët e partive politike, në lidhje me mundësinë për të caktuar një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.
“Takimi është ftuar për nesër në orën 12:00”, ka thënë Kupina shkurtimisht për lajmi.net.
Në këtë takim janë ftuar krerët e partive të mëdha në Kosovë, të cilët në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë kandiduar me nga një kandidat për kryeministër, pra kreu i VV-së, Albin Kurti, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Të dielën, kreu i VV-së, Albin Kurti i cili u mandatua nga Presidentja Osmani ka prezantuar para Kuvendit kabinetin për Qeverinë Kurti 3, por ai ka marrë vetëm 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, me ç’rast Kosova vazhdon të mbetet ende pa Qeveri.
Në rast se asnjëra nga partitë nuk mund të siguroj Presidentes Osmani se i ka 61 votat për Qeveri, vendi do të shkoj në zgjedhje të reja dhe pritet që ato të mbahen në dhjetor të këtij viti.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të hënën ka deklaruar para mediave se në vend përveç balotazhit pritet të mbahen edhe dy palë zgjedhje në dimër dhe në Pranverë, pasi sipas tij me këtë përbërje të Kuvendit është e pamundur të mblidhen 80 vota për të zgjedhur presidentin/en, të cilës i kalon mandati në prill të vitit të ardhshëm.
Edhe kryetari i PDK-së pas dështimit të Kurtit për formimin e Qeverisë të dielën, ka thënë se po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja.
9 nëntori, është data e fundit, kur Osmani mund të caktoj mandatarin për formimin e Qeverisë. /Lajmi.net/