Takimi i Rugovës me Millosheviqin dhe kritikat e shumta për këtë, Hill thotë se këtë takim e kishte kërkuar ambasadori Holbrooke
Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon dëshminë Christopher Hill, diplomat amerikan dhe ish ambasadori i SHBA-ve në Serbi. Ai ka treguar për rolin e ambasadorit Holbrooke në Deyton, për çka tha se ka dhënë një kontribut historik për paqen dhe sigurinë në Ballkan por që ndihej i frustruar që vazhdonte të kishte probleme…
Lajme
Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon dëshminë Christopher Hill, diplomat amerikan dhe ish ambasadori i SHBA-ve në Serbi.
Ai ka treguar për rolin e ambasadorit Holbrooke në Deyton, për çka tha se ka dhënë një kontribut historik për paqen dhe sigurinë në Ballkan por që ndihej i frustruar që vazhdonte të kishte probleme në Ballkan edhe pas Deytonit.
“Qëllimi i kësaj konference ishte Bosnja, dhe ai mendonte që duhej të angazhohej në një mënyrë ose tjetër për Kosovën që të gjente një zgjidhje dhe më dha shumë këshilla lidhur me atë që duhej të bëja në Kosova. disa prej tyre i kërkova, disa prej tyre jo. Ai e këshilloi edhe sekretaren albright, disa prej tyre i kishte kërkuar ajo dhe disa jo. Ambasadori Holbrook ishte shumë i angazhuar, kishte mendime të shumta që ishin të vlefshme dhe njerëzit i kushtonin vëmendje mendimeve të tij”, ka thënë Hill.
Ai ka treguar për vizitën e parë të Holbrook në Kosovë, ku tha se kishte shkuar edhe Hill dhe ishin takuar me Presidentin Rugova. Ai tha se Holbrook kishte takuar nga Rugova që të takohej me Millosheviqin në Beogradi, pasi mendonte se do të zgjidhte shumë probleme ndonëse Hill thoshte se ishte shumë skeptik.
“Takimi ndodhi në Presidencë në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit në 1998. Menjëherë pasi kam filluar unë punën time si i dërguar i posaçëm në Kosovë”, ka thënë Hill.
Në lidhje me impaktin në qëndrimin e qytetarëve të Kosovës për Rugovën, Hill tha se ky takim e dëmtoi Rugovën.
“Kjo e dëmtoi Rugovën sepse nuk mendoi se kishte mendim të fuqishëm në Kosovë sa i takon takimit me Millosheviçin që mund të ndihmonte. Njerëzit nuk mendonin një gjë të tillë, unë kisha rezerva dhe vazhdoj të kem në lidhje me faktin nëse kjo e ndihmon atë apo jo. Ai ishte shumë i shqetësuar nëse kjo ishte ide e mirë apo jo, por nuk dontë të refuzonte një sugjerim të tillë nga Holbrook në takimin e tij të parë me të. Mendoj se është e drejtë të themi se Rugova ishte udhëheqësi joformal i gjithë Kosovës dhe mendoj se kundërshtimi ndaj tij po shtohej, sepse kishte një përshtypje ndaj tij se ai nuk po arrinte progres”, ka thënë Hill.
Ai u pyet se kush ishte opozita e Rugovës në Prishtinë, për çka tha se nuk mund ta thotë këtë por që thotë se njerëzit me të cilët ishin takuar ishin shumë të frustruar me Rugovën dhe strukturat e LDK-së.
“Disa prej këtyre personave ishin me neve në Konferencën e Rambujesë në vitin në vijim. Rugova mendoj po kalonte një moment të vështirë për të legjitimuar udhëheqjen e tij dhe ndjenja e arritjes së diçkaje në raport me Serbinë. Dhe konteksti i saj ishte sepse Bosnja kishte një rrugëzgjidhje për të dal përpara fal marrëveshjes së Daytonit ndërsa Kosova ishte e bllokuar”, tha Hill.
Ai tha se për këtë kishin biseduar edhe me Veton Surroin dhe Rexhep Çosjen, ndërsa tha se ishin shumë skeptik nëse mund të bënte Rugova përparim lidhur me këtë.
“Çështja e menjëhershme ishte që të krijohej një republikë e ndarë. Serbët nuk pajtoheshin me këtë sepse ata e konsideronin një republikë të ndarë si një agjendë sensacioniste siç ishin republikat e tjera në pjesën perëndimore të Jugosllavisë që kishin deklaruar ndarjen e tyre”, ka thënë Hill.
Ai tha se LDK ishte entitet politik shumë mirë i organizuar dhe i financuar.
“Kishte sistem shkollor paralel ilegal, në mënyrë që fëmijët të mos shkojnë në shkolla serbe por të shkojnë në sistem paralel shkollor shqip. Për këtë duhej financim dhe kishin marrë financim nga Evropa perëndimore nga entiteti shqiptar dhe kishte shumë kritika për mënyrën si shpërdoroheshin këto fonde”, ka thënë Hill. /Lajmi.net/