Takimi i Kurtit dhe Vuçiqit me Scholz: Përpjekje për të krijuar klimë për marrëveshje përfundimtare
Kosova dhe Serbia, saktësisht liderët e të dy vendeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, do të takohen ditën e nesërme me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në Berlin.

Lajme
Ky takim, siç është njoftuar edhe më herët do të zhvillohet me ftesë të kancelarit gjerman, ku i pranishëm do të jetë edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun mes në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shkruan lajmi.net.
Kjo ftesë nga Gjermania zyrtare drejtuar liderëve të të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, erdhi pas disa vizitave që diplomatë e senatorë të shumtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bënë Kosovës dhe Serbisë, ku gjatë kësaj kohe ata zhvilluan takime edhe me liderët e dy shteteve.
Ajo çfarë u potencua disa herë nga diplomatët amerikanë, ishte çështja e rifillimit të dialogut dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes dy shteteve.
Por, çfarë mund të dalë nga takimi i nesërm i Kurtit dhe Vuçiqit në Gjermani dhe se cili do të jetë roli i kësaj të fundit në procesin e dialogut, për lajmi.net, janë prononcuar njohësit e çështjeve politike.
Analisti Gazmir Raci tha se, rikthimi i Gjermanisë në këtë proces është i rëndësishëm, pasi që sipas tij, Gjermania ka qenë e vetmja që ka pranuar se ka struktura paralele të Serbisë në Kosovë. Por sipas Racit, edhe pse roli i Gjermanisë është i rëndësishëm megjithatë, pa rolin amerikan ky proces nuk mund të shtyhet drejt finales.
“Është më rëndësi që Gjermania dhe kancelari Scholz, i cili është kancelar Social-Demokrat, po rikthehen edhe këta në dialog. Roli gjerman ka qenë shumë i rëndësishëm edhe në kohën e Merkel, për shkak edhe të strukturave paralele, sepse Gjermania ka qenë e vetmja që publikisht ka folur që në Kosovë ka struktura paralele të Serbisë. Pastaj, Gjermania ka vënë kushtin që të dyja palët duhet të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme mes tyre, në kuadër të marrëveshjes finale dhe se rikthimi i Gjermanisë është shumë i rëndësishëm, por natyrisht pa rolin amerikan proceset nuk mund të shtyhen drejt finales, ashtu siç mund të mendoj dikush në Bruksel”, tha ai.
Tutje, ai vazhdoi duke thënë se pala ndërkombëtare është e interesuar që t’i jap fund procesit të dialogut duke i parë edhe zhvillimet e fundit në Ukrainë. Madje sipas Racit, tani ekziston një bashkërendim i madh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve kryesore të Evropës.
“Po tash për shkak të zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe invazionit rus, natyrisht që faktori ndërkombëtar është i interesuar që problemet që janë në Ballkanin Perëndimor në mesin e tyre edhe problemi mes Kosovës dhe Serbisë të kryhet sa më shpejt. Në mënyrë që siguria, paqja dhe stabiliteti të jenë të qëndrueshme dhe të ndërpritet ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor. Roli gjerman është rol komplementar, por edhe me rolin anglez dhe atë francez në kuadër të grupit të QUINT-it, të cilët kohë pas kohe kujdesen për shtet ndërtimin e Kosovës. Është një bashkërendim, konsideroj tash më i madh edhe mes amerikanëve edhe faktorëve kryesor evropian siç është Gjermania, Franca po ashtu edhe Britania e Madhe. Dhe këta kanë me pas ndikim në arritjen finale të marrëveshjes”, vazhdoi Raci.
Sa i përket takimit të nesërm, ai tha se ky takim do të jetë një takim që do t’i përafroj Kosovën dhe Serbinë dhe se ky takim do të kontribuoj në frymën e mirëkuptimit, në mes delegacioneve të nivelit më të lartë.
“Unë mendoj që ky do të jetë takim i cili do t’i afroj palët më shumë, për shkak se kemi pas dallime deri tash. Do të kontribuoj në frymën e mirëkuptimit mes delegacioneve të nivelit të lartë dhe pastaj, unë mendoj që dialogu do të zhvendoset në Bruksel, por që gjithmonë do të ketë kujdesin e Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Raci.
Rreth kësaj çështjeje, analisti Shkodran Ramadani tha se, përpjekjet për ta riaktualizuar procesin e dialogut kanë nisur tash e disa muaj, kjo sipas tij duke parë që kemi një realitet të ri politik dhe duke parë edhe faktin që për shumë vite në Kosovë ka pasur një mungesë të stabilitetit politik me qeveri me bazë të dobët për të filluar procesin e dialogut.
“Ka disa muaj që kanë filluar përpjekjet me riaktualizu procesin e dialogut. Sidomos për faktin që për disa vite në Kosovë ka pasur mungesë të stabilitetit politik në Qeveri, shumë të dobëta dhe të cilat nuk kanë qenë bazë mjaftueshëm e fortë për të nisur procesin e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi. Pastaj, konflikti në Ukrainë e ka rritur urgjencën e adresimit të problemeve të pa zgjidhura të problemeve në Ballkan. Po ashtu tash pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, kemi realitet të ri politik, ku po mundohet të ringjallen negociatat për me e gjetë një marrëveshje e cila thuhet se është përfundimtare e gjithëpërfshirëse, por unë kam dyshimet e mija që mund të jetë e tillë, por se çfarë konkretisht do të propozohet do të shihet në vazhdim sepse është herët të flitet për variantet të qarta dhe përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe Serbisë”, tha Ramadani.
Sa i përket një zgjidhjeje të mundshme si marrëveshje përfundimtare, Ramadani tha se mund të bëhet plani ose modeli i dy Gjermanive, ide e cila po qarkullon disa vite dhe plan i cili është propozuar nga Gjermania.
“Por një gjë mund të jetë më e mundshme, plani apo modeli i dy Gjermanive, i cili ka disa vite që qarkullon dhe i cili po propozohet nga Gjermania. Tashmë shihet si një iniciatore e kësaj faze shumë të rëndësishme në procesin e negociatave. Dhe mund të presim që mund të ketë përpjekje ekstra për një marrëveshje të mundshme, por që kjo nuk varet vetëm nga Gjermania apo bashkësia ndërkombëtare por, edhe nga vullneti i qeverive të Kosovës dhe Serbisë”, vazhdoi ai.
Për takimin e nesërm, njohësi i politikës u shpreh skeptik që mund të arrihet ndonjë marrëveshje, duke u deklaruar se takimi i nesërm do të jetë më shumë si koordinim dhe pajtim për takime të tjera.
“Nesër sa e pash unë, do të darkojnë së bashku. Pra do të jetë një përpjekje për të krijuar një mjedis më konstruktiv duke i afruar palët dhe duke e çelur kështu rrugën për takime të mëtutjeshme. Por marrëveshje nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë brenda ditës. Unë besoj që do të ketë vetëm takim për koordinim dhe që të pajtohen për takime të tjera në vazhdim. Por e shoh si të vështirë arritjen e ndonjë marrëveshjeje në ditën e nesërme”, përfundoi Ramadani.
Krahas Racit dhe Ramadanit, për lajmi.net ka folur edhe njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj.
Demhasaj takimin e nesërm nuk e sheh si rikthim të Gjermanisë në dialog, pasi sipas tij, Gjermania veçse ka qenë pjesë e dialogut edhe më herët. Demhasaj shtoi se takimi i nesërm do të jetë për zhbllokimin e procesit të dialogut.
“Nuk mendoj që Gjermania po tenton me u rikthy në dialog, ajo ka qenë në dialog edhe përmes një përfaqësuesi special por edhe përmes ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian. Unë mendoj duke parë situatën kohëve të fundit, ka lindur nevoja me pas një takim të nivelit më të lartë, pak më me fuqi politike brenda BE-së. Ky takim, unë mendoj që do të jetë në kuadër të kësaj. Pra me e pa mundësinë se si me tejkalu situatën momentale në të cilën janë, si dhe mundësinë për caktimin e një takimi të nivelit më të lartë. Pra takimi ka me qenë në kuadër të zhbllokimit të dialogut dhe krijimit të një klime të re për dialogun që mund të përfundojë me marrëveshje finale”, tha ai.
Rreth interesimit të Gjermanisë për bisedimet Kosvoë-Serbi, ai potencoi se Gjermania s’është e vetmja që ka interes të tillë, ku interesimin e njëjtë e ndanë edhe gjithë BE-ja, duke shtuar këtu edhe interesimin e SHBA-ve, gjë e cila, sipas opinionistit, është një momentum që dialogu të përfundojë sa më shpejt në marrëveshje.
“Dhe nuk është vetëm Gjermania e interesuar rreth kësaj, por është krejt Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, njëkohësisht janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pak ditë më herët pati një takim këtu, por edhe në Serbi, ku u diskutua patjetër çështja e dialogut. Pra ka një momentum ku ka një interesim tepër të madh të faktorit ndërkombëtar që lidhet me SHBA, Gjermani, Francë, Angli, që sa më shpejt me u zhblloku ky proces dhe me u arrit një marrëveshje finale.”, shtoi ai.
Kujtojmë që një tjetër takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohet po ashtu gjatë këtij muaji, me datë 13 maj ku do të diskutohet për çështjen e targave.
Ndërsa muajin që lamë pas, delegacioni amerikan që qëndroi për vizitë në Kosovë, në veçanti senatori Chris Murphy, deklaroi se rruga e vetme e Kosovës për tu bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s, është që së pari të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë.
Takimi i nesërm është paralajmëruar se do të zhvillohet në mbrëmje, teksa nuk dihet saktësisht nëse përpos zhvillimit të dialogut aty do të mund të diskutohet edhe për zhvillimet e tjera të cilat lidhen me dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë./Lajmi.net/