Takimi i drejtorëve të policive në Beograd u shty për shkaqe politike

Shtyrja e takimit të paraparë të mbahej të hënën në mes të drejtorëve të policive të Kosovës, Serbisë, Hungarisë dhe Gjermanisë në Beograd, është bërë për shkaqe politike.

Lajme

04/03/2015 12:52

Ky takim, kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit në mes këtyre katër policive, në ndalimin e trafikimit me migrantë kosovarë, dukuri kjo e përhapur me të madhe kohëve të fundit.

Por, në momentin e fundit, saktësisht një ditë më parë (të diel), organizatorët e këtij takimi, pra pala serbe, ka vendosur që ky takim të shtyhet për një datë të pacaktuar.

Vendimin për shtyrjen e këtij takimi, e ka konfirmuar edhe drejtori i Policisë së Kosovës (PK) Shpend Maxhuni, por nuk ka dhënë detaje për arsyen e kësaj shtyrje.

Ndërkohë, burime ndërkombëtare të lajmi.net, kanë thënë se shtyrja e takimit është bërë pas një mosmarrëveshje në mes të palës serbe dhe asaj gjermane lidhur me pjesëmarrjen e Maxhunit në këtë takim.

Sipas këtyre burimeve, pala serbe ishte përpjekur maksimalisht që të bëjë të pamundur pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Policisë së Kosovës në këtë takim, gjë që ka hasur në kundërshtim të drejtorit të policisë gjermane.

“Pala serbe kishte kërkuar që në këtë takim të mos merr pjesë drejtori i Policisë së Kosovës. Mirëpo për këtë gjë nuk është pajtuar edhe përfaqësuesi i policisë gjermane. Këta të fundit si gjetje kompromisi kanë kërkuar nga serbët, që të paktën të shtyhet përkohësisht takimi, në mënyrë që të krijohet kohë për arritjen e një zgjidhje”, thonë këto burime për lajmi.net.

Deri më tani ende nuk bëhet e ditur për arritjen e ndonjë zgjidhje nga palët për organizimin e këtij takimi, përderisa negociatat janë duke vazhduar.

Arsyeja e drejtorit të PK-së, Shpend Maxhunit për shtyrjen e këtij takimi, gjatë prononcimit të tij për mediat vendase, ishte se ky vendim është bërë nga nikoqiri (pala serbe) për arsye objektive.

“Ne kemi marrë informimin dje që, vizita është shtyrë për një datë të pacaktuar për arsye objektive dhe momentin që ne njoftohemi për caktimin e datës së re atëherë ne do të shkojmë për pjesëmarrje për takim që është paraparë të mbahet sot”, kishte thënë Maxhuni.(lajmi.net)