Tahiri: Shkarkimi i Rakiqit, goxha i vështirë

“Parku i Paqes” nuk ka sjellë paqe, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sipas ekspertit të pushtetit lokal, Besnik Tahiri, ai vetëm ka ndarë qytetarët dhe vendin. Por, shkeljet që përbën ky akt si rrjedhojë e urdhrit të kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, është vështirë të përfundojnë me shkarkim e tij, sipas Tahirit.

Lajme

27/06/2014 16:23

Edhe pse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe pesë ligje, shkarkimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, është vështirë i mundshëm.

Këto shkelje ai i ka bërë duke vendosur të ashtuquajturin “Parku i Paqes” mbi urën e lumit “Ibër”, ndërsa ndaj tij nuk është marrë asnjë vendim deri më tani nga asnjë gjykatë.

Shkeljet që Rakiq i bëri, ligjit për rrugët, ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për rrugët, ligjit për planifikimin hapësinor dhe ligjit për ndërtim, i pranon edhe eksperti për çështje të pushtetit lokal, Besnik Tahiri.

Por, sipas Tahirit, shkarkimi i kryetarit të Mitrovicës Veriore, është goxha i vështirë. Kjo pasi që, siç thotë ai, Rakiq është vënë në pozitën e kryetarit me votën e lirë dhe prej instancës së qeverisë qendrore.

“Shkarkimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, i cili është i zgjedhur me votë të lirë, prej instancës së Qeverisë qendrore, respektivisht Gjykatës është goxha i vështirë”.

Tahiri tha për lajmi.net se raste me shkelje të ligjit ka pasur edhe në Rahovec e në disa komuna të tjera, por siç kujton ai, nuk ka ndodhur shkarkim arbitrar. Ndërsa ka kritikuar ligjet e Republikës së Kosovës për dykuptimësi.

“Në demokracitë e drejtpërdrejta shkarkimi arbitrar është goxha problematik”.

“Shumica e ligjeve të Republikës së Kosovës që rregullojnë Qeverisjen në menaxhimin publik, kanë dykuptimësi që nënkupton se lënë hapësirë për interpretime të dyfishta. Dhe, për rrjedhojë Gjykata është e sfiduar të marrë vendime të sakta”.

Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se kryetari Rakiq, përpos që bie ndesh me ligjet në fjalë, ai thyen edhe parimet bazë të demokracisë lokale dhe pushtetit lokal me aktin e bërë.

“Ministria e Administrimit Pushtetit Lokal duhet që të bëjë një vlerësim të ligjshmërisë të këtij vendimi, të argumentojë shkeljen e ligjit, të njoftojë me një letër zyrtare për këtë dhe mbi këtë bazë të krijohet komunikimi Qeveri (dikasteri për Ministri e Administrimit të Pushtetit Lokal) dhe Komunë”.

“Në rast të moszgjidhjes atëherë MAPL duhet këtë çështje t’ia adresojë Qeverisë dhe tutje të nisin proceset ose për përmirësimin e asaj çështje ose inicimi për shkelje të ligjit”, tha Tahiri.

MAPL, përmes një letre ka kërkuar dje nga Goran Rakiq që ta heq barrikadën me shkresë, por, shkresa nuk është firmosur nga ministri Slobodan Petroviq, kurse për Rakiqin ka nënshkruar zëvendësministri Basri Musmurati.