Tahiri: Rritja e pagës minimale në 500 euro është korrupsion elektoral nga Vetëvendosje
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar se rritja e pagës minimale në 500 euro, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përbën korrupsion elektoral. Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po manipulon me paratë e qytetarëve. “Loja me pagën minimale dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit për përfitime thjesht partiake nga pushteti…
Lajme
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar se rritja e pagës minimale në 500 euro, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përbën korrupsion elektoral.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po manipulon me paratë e qytetarëve.
“Loja me pagën minimale dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit për përfitime thjesht partiake nga pushteti aktual, ndërkohë që për tre vite rresht është injoruar plotësisht ligji për pagën minimale dhe ai për pagat në sektorin publik, ka vetëm një emër: korrupsion elektoral”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.
“Kjo s’është politikë sociale, është manipulim elektoral me paranë publike”, ka shtuar ai.
Gjatë ditës, Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, bëri të ditur se në një takim të zhvilluar sot me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është rënë dakord që paga minimale të jetë 500 euro dhe që zbatimi i saj të nisë nga janari i vitit 2026.
Nga ana tjetër, Murati, ka reaguar po ashtu në Facebook pas takimit me Azemin dhe përfaqësuesit e tjerë të sindikatave të sektorit privat, si dhe përfaqësues të odave ekonomike.
Ministri në detyrë ka theksuar se paga minimale është një instrument tejet i rëndësishëm, por nuk ka konfirmuar se është arritur dakordimi për shumën prej 500 eurosh, siç pretendoi Azemi.