Tahiri: Nesër presim që të konkretizohet marrëveshja për gjykatat

Ministrja për dialog, Edita Tahiri siguron që Gjykata Themelore dhe zyra e Prokurorisë në veri do të funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës. 

Lajme

08/02/2015 20:22

Nesër (e hënë), do të mbahet takimi mes kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit, ku këto dy çështje shpresohet të konkretizohen.

“Tashmë ka marrëveshje të arritur në Bruksel se do të jetë një Gjykatë Themelore e cila do të veprojë në shtatë komuna, ashtu siç e thonë ligjet tona, pra ligji i Kosovës për Gjykatat Themelore në vend si dhe do të jetë një zyre e prokurimit dhe përbërja, organizimi janë në proces të arritjes së marrëveshjes. Ne presim që të përmbyllet kjo marrëveshje gjatë këtij takimi dhe përfundimisht të fillojmë zbatimin”, ka thënë Tahiri në intervistën dhënë për RTK, transmeton lajmi.net.

Këto marrëveshje sipas ministres Tahiri do të mund të arriheshin edhe më herët, mirëpo pala serbe sipas saj, ka prolonguar zgjidhjen, duke u arsyetuar se Kosova gjendet në proces zgjedhor.

Pavarësisht pretendimeve të palës serbe që të ndërtohet një koncept etnik i gjykatave, sipas Tahirit nuk do të lehohet.

“Duke qenë se ligjet e Kosovës flasin për një gjykatë themelore për shtatë komuna, sepse ashtu e kemi të organizuar sistemin e gjykatave themelore, sipas rajoneve. Gjykata themelore për rajonin e Mitrovicës përfshinë shtatë komuna. Kështu thotë marrëveshja, Serbia e ka nënshkruar marrëveshjen. Pra nuk mund t’i shmangemi marrëveshjes së Brukselit, transmeton lajmi.net.